Më shumë se 300 njerëz kanë humbur jetën si pasojë e uraganit shkatërrues ‘Rai’, në Filipine. Uragani shkatërroi shtëpi, përmbyti qytete, dëmtoi rëndë rrjetet e energjisë elektrike dhe telekomunikacionit dhe detyroi qindra mijëra njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre në pjesët qendrore dhe jugore të vendit.
Avionët e marinës dhe anijet luftarake transportuan sot ndihma në zonat e goditura nga uragani. “Ne jemi ende duke vlerësuar dëmin, por është i madh”, kështu u tha gazetarëve sot ministrja e Mbrojtjes Delphine Lorenzana.
“Gjëja e parë që bëjmë është të trajtojmë çështjen e furnizimit me ujë dhe ushqim dhe kujdesin mjekësor të të lënduarve”.
Ajo udhëzoi forcat e armatosura që të transportojnë ndihma humanitare duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion dhe të dërgojnë më shumë trupa nëse është e nevojshme.
Numri i të vdekurve është rritur ndjeshëm gjatë ditës së sotme ndërsa përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë në zonat e prekura.
Deri në orën 11:00 me orën shqiptare, numri i të vdekurve kishte arritur në 375, tha policia në një deklaratë, duke e bërë atë një nga uraganet më vdekjeprurëse që goditi shtetin e Azisë Juglindore. Numri i të plagosurve ka shkuar në 500 ndërsa 56 persona janë të zhdukur.
Top Channel