Tension dhe debate të njëpasnjëshme në kuvend/ Spiropali-Bashës: Kontrolloni gjuhën se e keni lëshuar fare!

20/12/2021 12:02

Rendi i parë i ditës sot në kuvend nisi me marrëveshjen që qeveria pritet të nënshkruajë me kompaninë Pfizer, për blerjen e 1.5 milion dozave të tjera anti Covid.

Pas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, deputetët e tjerë që morën fjalën anashkaluan rendin dhe kaluan të akuza të ndërsjellta ndaj njëri-tjetrit.

Kryedemokrati Lulzim Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion. Ai pati disa replika me ministren Elisa Spiropali.

Spiropali i tha se Bashës e ka humbur mundësinë e replikës së shumicës për shkak të humbjes së legjitimitetit të të gjithë PD. Ndërsa Basha u përgjigj, duke thënë se ajo që ka ndodhur në Partinë Demokratike është legjitimiteti më i lartë dhe pastrimi nga mbeturinat e komunizmit dhe korrupsionit.

Pas replikave nga foltorja dhe karrigia, Spiropali foli me tone të larta, kur iu drejtua demokratit: “Kontrolloni gjuhën se e keni lëshuar fare, që kur ju kanë lëshuar nervat. Nuk kemi pse të merremi me marrëzi”.

Kryedemokrati këmbënguli për vetting në politikë, ndërsa Spiropali i tha se “Meqë e keni merak të posaçëm çështjen e vetting, premtoni që do të votoni shtyrjen e afateve për vetting. Lërini përrallat me vettingje të shpikura nga ju. Nuk është këtu si bravat që i hiqni dhe i ndërroni”.

Top Channel