Kryetari i PD, Lulzim Basha i është përgjigjur ministres Elisa Spiropali duke i thënë se ajo që ka ndodhur në Partinë Demokratike është legjitimiteti më i lartë dhe pastrimi nga mbeturinat e komunizmit dhe korrupsionit.

Ishte Spiropali që i tha se e ka humbur mundësinë e replikëss ë shumicës për shkak të humbjes së legjitimitetit të të gjithë PD. Përvec kësaj, Basha ka folur edhe për miratimin e statusit të vecantë për fëmijët duke thënë se janë vrasësit e vërtetë të atyre që doni t’i jepni shëndetësinë falas.

Basha: Legjitimitetin nuk ta japin milionat e grabitura në dogana, as votat e blera, por legjitimiteti duhet të burojë nga qytetarët. Që të burojë nga qytetarët duhet të kemi proces të lirë e të ndershëm zgjedhor. Shqiptarët më 25 prill ju kanë shkarkuar. Ju kapeni pas 3 faktorëve, pas krimit të organizuar, pas korrupsionit galopant që disa prej jush keni hyrë dhe jeni sot multimilionerë dhe përmes bashkëpunimit të hapur e të fshehtë të trekëndëshit të Bermudës. Ju jeni mbi kalin e korrupsionit që vazhdon çdo ditë, i ka neveritur shqiptarët, mbi korrupsionin që e keni futur në parlament dhe bashkëpunimin e trekëndëshit të Bermudës. Kjo e fundit do ju lidhë edhe në fundin tuaj sepse standardet e vendosura në luftën e korrupsionit nga SHBA nuk mund të jenë të ndryshme.

Ajo që ka ndodhur në familjen tonë, është pastrim nga mbeturinat e komunizmit dhe korrupsionit, është legjitimiteti më i lartë në PD. Ju jeni landfilli ku mblidhen bashkë interesat e krimit të organizuar e korrupsionit dhe kështu qëndroni krah njëri-tjetrit e të shkuarës, ndaj kur të merrni këtë foltore, mbani mend që kartat jua kemi djegur në dorë. Shqiptarët do ju djegin si kartat e korrupsionit, zotimi ynë është ta bëjmë një orë e më parë për t’i mundësuar shqiptarëve rikthimin në kutitë e votimit, pa policinë e keqpërdorur dhe krerët e policisë në shërbim të krimit të organizuar. Ata vetë, familjarët e tyre, mësuesit, punonjësit e shëndetësisë me një sistem zgjedhor i cili nuk e ndëshkon votën e qytetarëve në mënyrë që ata që marrin përsipër të përfaqësojnë socialistët apo demokratët, të mos jenë kukulla të krimit apo oligarkisë.

Ju jeni vrasësit e vërtetë të atyre që doni t’i jepni shëndetësinë falas. Jo se shkrepët pistoletën por keni kohë që keni shaluar mitralozët e korrupsionit që grini ekonominë e vendit, shpresat e të rinjve. Dua t’i kujtoj çdo shqiptari se arsyeja pse ndodheni në këtë sallë dhe në këtë angazhim është që të kthejmë atë që ju kanë vjedhur prej kohësh. Korrupsioni është armiku numër një i mirëqenies së shqiptarëve.

Top Channel