Gabimet janë pjesë e futbollit, por te Partizani janë bërë të vazhdueshme në një sezon me shume ulje-ngritje. Shumë gabime, shumë dhurata për kundërshtarët, të cilët kanë ditur t’i shfrytëzojnë në maksimum dhe Partizani tani kthen kokën pas për të parë se sa pikë ka lënë rrugës nëpërmjet gabimeve.
Janë shumë, jo vetëm gabimet dhe gafat, por edhe pikët, që nëse do të ishin evituar, sot, Partizani dhe Daja do të ishin një nga pretendentët kryesorë për titull. Në 13-të javë kampionat, 16 herë kampionët e Shqipërisë numërojnë 8 gabime me pasoja.
Sezoni nisi i tillë, me një gabim të Alban Hoxhës në premierën e edicionit ndaj Teutës, kur në minutën e 18-të Georgiev përfitoi nga pasiguria e portierit dhe, në fund, ai gol i kushtoi shumë sepse “demat” e nisën sezonin me humbje.
Nisja e sezonit me humbje kërkonte një reagim dhe në javën e dytë përballë ishte Skënderbeu, por edhe aty Partizani ngeci, përsëri me një gabim. Damcevski dhe Hoxha nuk kuptohen me njëri-tjetrin, duke i dhuruar golin Elvi Berishës, i cili shënoi golin e barazimit dhe në fund rezultati nuk ndryshoi, një gabim që i kushtoi 2 pikë në renditje.
Në javën e 4-t, gabimet u rikthyen përsëri në derbin Dinamo-Partizani, kur blutë e kryeqytetit shënuan të parët me anë të Ibrahimit, i cili shfrytëzoi në maksimum gafën e Shehut në mbrojtje. Në fund, Partizani gjeti golin e barazimit me anë të Juniorit, duke marrë vetëm 1 pikë.
Një javë më pas, përballë Kukësit, gabimet ishin prezente këtë herë kolektive, pasi verilindorët shfrytëzuan në maksimum një gabim në mesfushën e të kuqve dhe në fund përfituan nga vendosja, jo e mirë në mbrojtje për të finalizuar me Feijaon në minutën e 70-të dhe, duke i hequr 2 pikë Partizanit, që kryesonte deri në ato çaste.
Alban Hoxha bëhet përsëri protagonist, sërish jo për mirë, në javën e 7-të, në takimin përballë Egnatias, duke u dhuruar golin rrogozhinasve pas një goditjeje nga distanca të brazilianit Jackson në minutën e 6-të. Në fund, Partizani nuk gjeti forcën për të përmbysur sfidën, duke marrë vetëm një pikë.
Tri javë më parë, Partizani koleksionoi tri pikët përballë Skënderbeut në shtëpi, por edhe në atë sfidë gabimet ishin prezente. “Demat” kaluan në avantazh me Rrapajn, ndërsa në mesin e pjesës së parë, pikërisht Rrapaj gaboi në mesfushë dhe, si të mos mjaftonte kjo, edhe portieri Teqja gaboi në dalje, duke i dhuruar rrjetën Alfred Mensah i cili barazoi përkohësisht. E vetmja sfidë, ku të besuarit e Dajës gabuan, por në fund fituan ishte pikërisht ndaj korçarëve në javën e 11-të.
Gabimi më i freskët është përballë Kukësit, në javën e 14-të, aty ku Partizani kaloi në avantazh me Emiljano Mustën, që realizoi një perlë, por që shumë shpejt u zbeh. Mesfushori 29-vjeçar gaboi me topin e kthyer pas, duke shënuar në portën e tij, por nuk ishte i vetëm në këtë faj, sepse dhe Teqja lëviz dhe kapet në kundërkohë, duke i dhuruar golin e barazimit momental Kukësit.
Një moment që ndryshoi mentalitetin e Partizanit, duke i dhënë një goditje të fortë në moral dhe në minutat e fundit mbrojtja u shpërqendrua e gjitha, duke i krijuar një hapësirë të mjaftueshme Taipit, i cili përmbysi rezultatin. Dy gabime që i kushtuan humbjen Partizanit në një ndeshje të rëndësishme dhe për më tepër përballë një kundërshtari direkt.
14 javë dhe Partizani numëron vetëm 18 pikë, vetëm 4 fitore, 6 barazime dhe 4 humbje, që i kanë diferencuar “demat” nga kreu, aq sa tani e sheh vendin e parë 12-të pikë larg. Java e 15-të i rezervon derbin e kryeqytetit, përballë Tiranës, në një duel ku renditja, forma dhe ecuria zerohen. Në një sfidë të tillë gabimet nuk tolerohen dhe tani te Partizani duhet të mendojnë për të shmangur këto situata dhe më pas për fitore, pikët dhe renditjen.
Top Channel