Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se NATO vazhdimisht do të vlerësojë nëse prania e saj në rajonin e Detit të Zi duhet të përshtatet, në një kundërpërgjigje të kërcënimit të paraqitur nga Rusia.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin bullgar, Kiril Petkov, pas takimit të tyre të parë, Stoltenberg tha se NATO po ndjek nga afër rritjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe rreth saj.
“Ne do të përgjigjemi në një mënyrë të vendosur për t’i dhënë fund përkeqësimit të mjedisit tonë të sigurisë, përfshirë forcimin e qëndrimit tonë të mbrojtjes kolektive”, theksoi Stoltenberg. Ai theksoi se NATO nuk sheh një kërcënim të afërt kundër asnjë anëtari të aleancës, por sheh “tensione të rritura dhe kjo është e rëndësishme për të gjithë aleatët e NATO-s, veçanërisht për aleatët në rajonin e Detit të Zi”.
Stoltenberg shpjegoi se ”që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë nga Rusia dhe ndërhyrja në Ukrainën lindore, NATO ka zbatuar përforcimin më të madh të mbrojtjes kolektive në një gjeneratë duke trefishuar madhësinë e forcave të reagimit të shpejtë të NATO-s në Poloni dhe në vendet baltike, si dhe duke rritur praninë në rajonin e Detit të Zi me patrullimet e marinës dhe policisë ajrore”.
“Ne vazhdimisht do të vlerësojmë nevojën për të përshtatur më tej qëndrimin tonë, praninë tonë, edhe në juglindje të rajonit, sepse duhet të jemi të sigurt se ne gjithmonë mund të mbrohemi të gjithë kundër çdo kërcënimeve dhe tensioneve të shtuara”, theksoi ai.
Top Channel