Referendumi për shkarkimin e Bashës/ Berisha kujton mesazhin e ish-sekretarit Amerikan të Shtetit: Më në fund jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj!

19/12/2021 12:07

Një ditë pas referendumit ku u votua për shkarkimin e Lulzim Bashës si kryetar i PD-së, ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar përmes një mesazhi në rrjetet sociale.

Berisha ka postuar një video të ish-sekretarit amerikan të shtetit James Baker gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë.

“Nderim dhe mirënjohje të pakufishme 44 mijë demokratëve që me votën e tyre të lirë morën në dorë fatin e tyre!”, shkruan Berisha.

Në videon në fjalë Baker thotë se; “Ju jeni të lirë të besoni atë që dëshironi. Më në fund ju jeni të lirë të pohoni atë që të dëshironi. Më në fund ju jeni të lirë të zgjidhni udhëheqësit tuaj”.

Berisha ka bërë të ditur se të hënën e 20 Dhjetorit do të zhvillohet protesta e parë kombëtare.

Ai u shpreh se qytetarët do të protestojnë përpara Kryeministrisë dhe tubimi do të nisë në orën 16:00.

Ndërsa nga ana tjetër në të njëjtën ditë me referendumin u mbajt edhe Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Basha, ndërsa e injoroi rezultatin e referendumit të Sali Berishës ku rreth 44 mijë demokratë votuan pro shkarkimit të tij.

Lulzim Basha premtoi se të dielën do bëhen publike emrat e 5 mijë 4 delegatëve për të hedhur poshtë akuzat se në Pallatin e Kongreseve kishte më pak ulëse se delegatë të deklaruar.

Problemet e brendshme brenda Partisë Demokratike u thelluan pasi Basha përjashtoi nga Grupi Parlamentar i PD-së, Berishën, pas shpalljes së tij ‘non grata’ nga SHBA-ja. Pas kësaj ngjarje ish-kreu i PD-së nisi mbajtjen e Foltoreve në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa u krijua Komisioni i Rithemelimit të partisë.

Top Channel