Raportohet se ISIS ka vrarë gjashtë persona në kampin Al-Hol

19/12/2021 14:46

Grupi militant Shteti Islamik (IS) ka vrarë gjashtë persona, përfshirë katër gra, në kampin Al-Hol të Sirisë gjatë muajit dhjetor, tha një grup monitorues.

Në këtë kamp, që kontrollohet nga kurdët, janë të vendosur 62,000 persona, përfshirë edhe të afërmit e militantëve të IS-it.

Rreth 93 për qind e personave të vendosur në kamp janë gra dhe fëmijë dhe pothuajse gjysma e tyre janë nga Iraku.

Sipas Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, grup monitorues që ka një rrjet burimesh në Siri, që prej fillimit të muajit dhjetor, në kampin Al-Hol janë kryer “gjashtë vrasje”.

Viktima e fundit ishte vrarë të shtunën, më 18 dhjetor, tha Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Në mesin e viktimave ishin tri irakianë – dy burra dhe një grua – si dhe dy gra siriane dhe një grua tjetër, identiteti i të cilës mbetet i panjohur, tha grupi monitorues.

Që prej fillimit të këtij viti, vrasjet në këtë kamp janë rritur. Sipas të të dhënave të Vëzhguesit Sirian për të Drejtat e Njeriut, gjatë këtij viti, në al-Hol janë vrarë 86 persona, përfshirë 63 refugjatë irakianë.

Kreu i këtij grupi monitorues, Rami Abdel Rahman paralajmëroi se në kamp “ka kaos dhe pasiguri”, duke shtuar se situata mund të përkeqësohet, raporton AFP.

Në muajin mars, autoritetet kurde ndërmorën një operacion të madh në kampin Al-Hol, duke arrestuar 125 anëtarë të dyshuar të IS-it.

Kombet e Bashkuara vazhdimisht kanë paralajmëruar për përkeqësimin e kushteve të sigurisë në kampin Al-Hol.

Në këtë kamp janë rreth 10,000 gra të huaja, fëmijë dhe familjarë të militantëve të IS-it.

Që prej mposhtjes së IS-it në mars të vitit 2019, kurdët e Sirisë dhe Kombet e Bashkuara vazhdimisht u kanë bërë thirrje shteteve të huaja që të riatdhesojnë shtetasit e tyre që po mbahen në verilindje të Sirisë. Por, shumica e shteteve po refuzojnë që të riatdhesojnë shtetasit e tyre që gjenden në këtë kamp.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA