Manaxheri i njohur italian, Mino Raiola, dha një intervistë të gjatë ku foli për të ardhmen e lojtarëve të rëndësishëm, klientë të tij. Kuptohet, sa herë flet, jep lajme të rëndësishme për merkaton. Rasti i parë ishte ai i Matthijs de Ligt. Mbrojtësi holandez mbërriti tek Juventusi me një çmim shumë të lartë, por qendërmbrojtësi nuk shkëlqeu në Torino. Raiola paralajmëron largimin e qendërmbrojtësit nga “Zonja e Vjetër”.
“Ai është gati për një hap të ri. Matthijs mendon të njëjtën gjë,” – deklaroi Raiola
Menaxher i mirë për futbollistët: “Në Itali thonë se nuk mund të adhurosh njëkohësisht Zotin dhe Djallin. Duhet të vendosësh. Unë bëj gjithçka për lojtarët e mi. Kjo nuk do të thotë se dua të shkatërroj klubet. Do t’i mbroj lojtarët e mi dhe interesat e tyre ekonomike deri në fund”.
Irritimi i klubeve me Raiolan: “Çfarë prisni? Nga njëra anë ka profesionistë, ekonomistë, specialistë të taksave dhe shpresojnë që lojtari të sjellë vetëm babanë e tij. Lojtarët janë skllevër modernë. Askush nuk u habit që Ajaxi fitoi 150 milionë euro nga shitjet e De Ligt dhe De Jong.”
Pagat e larta: “Është logjike, apo jo? Njerëzve u vjen turp që 75% e buxhetit të klubit është për pagat. Të bësh bujë për këtë është si të ankohesh që studiot e filmit shpenzojnë 75% të buxhetit të tyre për aktorët. Ata lëvizin industrinë dhe sjellin paratë.”
Raiola, i kërkuar nga futbollistët: “Shumë lojtarë dëgjojnë të tjerët që janë të lumtur. Më telefonojnë dhe më thonë: “Dua që ju të më merrni.” Mundohem të optimizoj mundësitë. Që lojtari të përfitojë sa më shumë që të jetë e mundur dhe po, sigurisht, që edhe unë përfitoj.”
Komisioni për transferimin e Pogbasë: “Ajo shumë që zbuloi Football Leaks nuk është e saktë. Nuk do të them më shumë për atë transferim. Nuk ka ndodhur asgjë e paligjshme. Ky lloj transferimi përfshin shuma të mëdha. Ku mendoni se i marrin paratë? Televizioni, sponsorizimet dhe shitja e biletave, sepse njerëzit duan të shohin lojtarët e mi.”/ SS
Top Channel