Fredi Beleri “mburr” deputetin e Agimit të Artë dhe sulmon drejtësinë greke, tërheq deklaratën pas reagimeve të forta nga PASOK Policia bashkiake në Delvinë ka nxjerrë komisionin dhe materialet zgjedhore jashtë ambientit, ku po votohej për shkarkimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike.
Anëtarë të PD-së kanë treguar akt pagesën që kanë bërë në bashki për përdorimin e ambientit këtë të shtunë.
“Dega PD Delvinë kërkon pranë bashkisë Delvinë, një ambient në dispozicion të aktivitetit të kësaj dege, e cila organizohet në datën 18.12.2021, prej orës 7:00 të mëngjesit deri në orën 12:00 të ditës të shtunë, kërkesë e cila duhet të vlerësohet nga ana juaj përsa i përket anës financiare”, shkruhet në akt.

I njëjti incident ndodhi më herët në Cakran. Luan Baçi akuzoi policinë se ka hyrë me forcë në njësinë administrative ku demokratët po votonin.
“Policia bashkiake e Fierit ka shkuar, ka ndërprerë procesin e votimit, ka hyrë te zyrat e njësisë vendore”, thotë Baçi për mediet.
Sipas tij, se një ditë më parë kanë biseduar me drejtuesit e njësisë vendore, që i kanë dhënë lejen për të zhvilluar procesin vendor aty. “Policia i ka nxjerrë me zor, me kutitë e votimit. Të gjitha materialet zgjedhore i ka nxjerrë jashtë. Po mundohemi të gjejmë një ambient tjetër aty afër për të vazhduar votimin. Demokratët e Cakranit do të vazhdojnë procesin e votimit”, shprehet Baçi.
Ndërkohë, ka reaguar policia, ku mohon të jetë përfshirë në një incident të tillë.
“Strukturat e Policisë së Shtetit janë tërësisht të papërfshira dhe neutrale në këtë situatë. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar maksimalisht të garantojë rendin e sigurinë në territor, të parandalojë dhe reagojë me profesionalizëm në çdo situatë që cenon rendin e sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve”, shkruhet në njoftimin e policisë.
Këtë të shtunë po votohet në referendumin e thirrur nga Berisha për shkarkimin e Lulzim Bashës. Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale njoftoi se materialet zgjedhore janë shpërndarë dhe administruar nga të gjitha komisionet përkatëse në të 106 Qendrat e Votimit në të gjithë vendin.
Top Channel