Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me situatën në Partinë Demokratike, duke iu përgjigjur dhe akuzave të Berishës se ka vënë ekipe të gardës dhe policisë së shtetit në shërbim të Bashës.

Për këtë, Policia e Shtetit thotë se nuk ka pasur asnjë trupë të vetme në territorin e asaj partie. Përveç kësaj thekson se nuk ka lidhje me akuzat nga aktorë të caktuar politik duke iu referuar Berishës.

“Përsërisim me keqardhje se përgojimi i Policisë së Shtetit në debatin e brendshëm të një partie politike nuk i shërben as ligjit, as shoqërisë dhe as të vërtetës. Policia e Shtetit nuk ka pasur asnjë trupë të vetme në territorin e asaj partie.

Policia e Shtetit nuk ka asnjë lidhje me akuza apo pamje të servirura në media, nga aktorë të caktuar politik dhe mediatik. Policia e Shtetit kryen detyrën e saj konform ligjit dhe misioni i saj nuk e përfshin kurrsesi ndërhyrjen në çështjet politike apo mes palëve politike”, thuhet në reagimin e Policisë së Shtetit.

Akuzat për prani të Gardës dhe RENEA-s në ambientet e PD-së i bëri ish-kryeministri Sali Berisha në fjalën e mbajtur pas mbylljes së procesit të numërimit të votave të Referendumit.

Berisha i bëri thirrje kryeministrit që të mos e vërë gardën në dispozicion të PD-së pasi detyra e saj është të ruaje rendin dhe qetësinë. Pretendimet për prani të policisë në Selinë Blu i hodhi poshtë edhe kryedemokrati, i cili tha se PD është shtëpia e lirisë dhe nuk ka nevojë për mbrojtje.

Top Channel