Kuvendi i PD miraton rezolutën, vendimet e 11 dhjetorit janë nul dhe s’kanë vlerë ligjore

18/12/2021 19:05

Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i mbledhur të shtunën në Pallatin e Kongreseve ka miratuar një rezolutë të Këshillit Kombëtar të PD.

Rezoluta e miratuar më 12 dhjetor në Këshill dhe e aprovuar sot nga Kuvendi, e cilëson mbledhjen e Kuvendit të 11 dhjetorit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha si “të jashtëligjshme”. Sipas rezolutës vendimet janë nul dhe nuk kanë asnjë vlerë politike apo ligjore për PD.

Këshilli Kombëtar i PD-së konstatoi se thirrja e këtij tubimi nga zoti Sali Berisha me pretendimin se po mblidhte një Kuvend të Partisë Demokratike dhe të ashtuquajturat “vendime” shkelin të gjitha normat e Statutit të PD-së që rregullojnë funksionimin dhe vendimmarrjen e saj si institucion politik”, thuhet në rezolutë.

Në këtë rezolutë thuhet se lëvizja Berisha i ngjan një organizate politike me frymëzim antiamerikan.

PD distancohet me forcë dhe dënon lëvizje të tilla që bien ndesh me përcaktimet identitare të saj, me interesat e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, me marrëdhëniet strategjike jetike të Shqipërisë dhe Kombit shqiptar me SHBA”, thuhet ndër të tjera në rezolutë.

Po ashtu, Kuvendi i 18 dhjetorit ka bërë edhe një ndryshim në statut, i cili u prezantua nga anëtari i Komisionit për Punimet e Kuvendit, Enkeled Alibeaj.

Ai tha se Kryesia e PD ka propozuar krijimin e Aleancës Qytetare e cila do të shërbejë për afrimin me Partinë Demokratike të intelektualëve të spikatur në shoqëri, pa qenë nevoja me qenë anëtar të kësaj force politike.

Ai tha se kjo aleancë synon të analizojë dhe të japë mendim kritik ndaj politikave, qasjeve dhe nismave të Partisë Demokratike, duke ndihmuar partinë të forcojë dialogun dhe debatin konstruktiv me shoqërinë.

Top Channel