Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas përfundimit të Kuvendit Kombëtar duke thënë se do të qëndrojnë në shtëpinë e demokratëve duke iu referuar selisë së PD.
Sa i përket referendumit të mbajtur nga Berisha për shkarkimin e tij, Basha mohon të ketë pasur një të tillë duke thënë se ka një PD dhe një Kuvend Kombëtar.
Basha: Është mbajtur Kuvendi i demokratëve. Ka njerëz që nuk nxjerrin mësim nga historia. 96 është një njollë turpi në historinë e PD për të cilën i kërkojmë falje shqiptarëve. Nuk mund të ketë më përsëritje. Kjo është shtëpia e demokratëve. Demokratët janë krenarë për atë që kanë arritur. Mund të kishim qenë vendi i parë nga të gjithë vendet lindore që mund të ishim anëtarësuar në BE. Përgjegjësi për këtë kanë ata që për interesat e tyre, interesin e tij personal, Sali Berisha president i asaj kohe pranoi një standard zgjedhor të papranueshëm. E sotmja tregoi qartë vullnetin e demokratëve.
Kultura e ndërprerjes është një kulturë që duhet ta lëmë pas. Ne do të qëndrojmë të qetë në shtëpinë e demokratëve që është shtëpia e lirisë, do të qëndrojmë me vetëdije për të gjithë gabimet tona të të kaluarës duke përfshirë atë që vuri në lëvizje pastaj një revansh 8 vjeçar mbi Shqipërinë, demokracinë, PD dhe të gjithë shqiptarët që ndaloi atë që do të kishte sjellë sot Shqipërinë në BE, por gabimet e kaluarës, sidomos kur përsëriten në mënyrë tragji-komike nuk do ta marrin peng më demokratët. Sot ka patur vetëm një aktivitet të PD dhe ka qenë Kuvendi Kombëtar i demokratëve.
Pyetje: Ka zëra se Berisha dhe Komiteti i Rithemelimit do të vijnë në selinë blu për të shpallur rezultatin e referendumit që është votuar sot. Do ta prisni rezultatin?
Basha: Nuk ka referendum, nuk ka Komitet Rithemelimi. Ka një PD dhe një Kuvend Kombëtar që sapo mori vendimet e tij.
Pyetje: Ju nuk po respektoni anëtarët që më shumë se 8 orë iu drejtuan kutive të votimit në të gjithë vendin?
Basha: Ju nuk keni asnjë informacion që janë anëtar të PD. Unë e di që ka disa anëtar të PD, të cilëve ju bëj thirrje që t’i bashkohen vendimeve të institucioneve të PD që janë zgjedhur me votën e anëtarëve të PD.
Pyetje: Do të qëndrojë e hapur selia për të shpallur rezultatin për atë aktivitet që nuk e konsideroni?
Basha: Përgjigjen e keni brenda pyetjes. PD ka patur një aktivitet sot, aktiviteti ka qenë Kuvendi.
Top Channel