Gjykata e Tiranës ka vendosur masën detyrim paraqitje për Orgest Drazhin, shokun e Jurgen Dukës, i cili mbeti i vdekur në minutat e para të 14 dhjetorit në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë.
Nga pamjet e siguruara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, sherri ka nisur mes të rinjve në brendësi të ambienteve të marketit, ndërsa ata po kalonin produktet në kasë.
Jurgen Duka (Meziri), është konfliktuar me policin Arbër Sula, i cili ishte jashtë shërbimit, ku ky i fundit e ka qëlluar me armë zjarri.
Sipas informacioneve, sherri ka nisur për arsye banale për radhën në market. Viktima dhe autori ishin futur në market si klientë dhe debati ka nisur se kush do paguante i pari.
Viktima rreth 29 vjeç nuk ka mundur t’u shpëtojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në Spitalin Universitar të Traumës.
Pavarësisht negociatave të shumta për t’u vetëdorezuar , oficeri i policisë në Dibër, Arbër Sula vijon të jetë në arrati për vrasjen e të riut Jurgen Duka.
Jurgen Duka, 29 vjeç që jetonte midis Britanisë së Madhe ku ka familjen dhe Tiranës, u konfliktua nën efektin e alkoolit me Sulën që po priste në radhë të paguante, i cili kishte ardhur për të bërë testin e drogës në kryeqytet.
Arbër Sula u frymëzua për t’u bërë polic, jo vetëm nga fakti se u rrit pak metra larg akademisë së sigurisë, ku prindërit e tij kanë banesën, por edhe sepse ai gjatë adoleshencës u shërbeu si kamarier policëve dhe studentëve të akademisë në lokalin përballë këtij institucioni. Por akademia e sigurisë nuk mundi t’i sigurojë dy gjëra policit të ri, se si përdoret arma dhe vetëpërmbajtjen.
Edhe shërbimi i çështjeve të brendshme dhe ankesat ka nisur një hetim të veçante nga ku rezulton se efektivi i policisë nuk ishte në detyre në çastet e ngjarjes, por pikat mbi ‘i’ për ngjarjen do t’i vendosë prokuroria.
Mësohet se Jurgen Duka është person me precedent të mëparshëm kriminal. Në 2020-ën ai ra në pranga së bashku me Elison Hysenbelli në kuadër të operacionit anti-drogë mes Italisë dhe Shqipërisë që u zhvillua në Marche, Emilia Romagna, Lombardi dhe Liguri dhe do të ekstradohej drejt vendit fqinj për t’u gjykuar.
Mbetet e paqartë se si viktima u lirua nga qelia. Operacioni “Riviera” u zhvillua nga Prokuroria Rajonale Antimafia në Bolonja, në bashkëpunim me Grupin e Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierisë në Bolonja.
“Lidhur me masen e sigurimit ne ngarkim te shtetasit Orgest Drazhi, seanca eshte zhvilluar diten e djeshme date 16.12.2021, me prokuror te çeshtjes Petrit Hysi dhe gjyqtare Oltjona Goxha. Ne perfundim te gjykimit me kerkese te prokurorise dhe ne baze te nenit 244/3 te K.Pr.Penale ku percaktohet se gjykata nuk vendos dot nje mase sigurimi me te rende se ajo e kerkuar nga ana e prokurorit, gjykata vendosi caktimin e mases se sigurimit “Detyrim per tu paraqitur ne policine gjyqesore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale”, sipas njoftimit.
Top Channel