Rikthehet karantina për festa? Reuters: Omicron nuk frenon as nga vaksinat

17/12/2021 12:56

Ankthi për festat e fundvitit po rikthehet në të dyja anët e Atlantikut me përhapjen e vrullshme të variantit të fundit dhe më infektues të koronavirusit.

Presidenti amerikan, Joe Biden paralajmëroi se Omicroni paraqet rrezik në SHBA duke krijuar valën e re të sëmundjes ndonëse varianti Delta ishte ai që kontribuoi më shumë deri tani në rritjen e numrit të të infektuarve dhe të vdekurve.

Ende ka shumë paqartësi lidhur me variantin e ri por, sipas zyrtarëve shëndetësorë dihet se Omicron përhapët shumë më shpejtë sesa Delta.

Ministrat e Shëndetësisë të shtatë shteteve më të industrializuara në botë e vlerësuan variantin Omicron, si “kërcënimin më të madh ndaj shëndetit publik në botë”, duke shtuar se “është më e rëndësishme se kurrë më parë që shtetet të bashkëpunojnë nga afër”.

Rritja shqetësuese e numrit të të infektuarve dhe paqartësia rreth variantit të ri vjen në kohën kur njerëzit planifikojnë të udhëtojnë për shkak të festave të fundvitit, duke krijuar kushte që virusi të përhapet akoma më shumë.

Reuters citon Organizatën Botërore të Shëndetësisë të pohojë se të dhënat paraprake dëshmojnë që vaksinat e Covid 19 mund të jenë më pak efikase ndaj Omicronit, ndaj dhe rreziku i riinfektimit, rritet.

Sipas OBSH-së, do të nevojiten më shumë të dhëna për të kuptuar më mirë se deri në çfarë mase arrin ky variant të shmangë reagimin imunitar që trupi krijon qoftë nga vaksinat, qoftë nga një infektim i mëparshëm.

Top Channel