Përkujtohet 78-vjetori i masakrës së Këshilltarëve të Hekalit, Balla: Shqipëria po shkon në Europë, si Shqipëria e partizanëve, antifashistëve dhe çlirimtarëve

17/12/2021 12:45

Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Taulant Balla i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Armando Subashi përkujtuan sot në Gorishovë 78-vjetorin e masakrës së Këshilltarëve të Hekalit, pjesë e këshilllit nacional çlirimtar, të cilët u pushkatuan nga një skuadër ushtarake gjermane.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla deklaron se atdhedashuria dhe heroizmi i tyre është vazhdim nëpër vite dhe e përbashkët për të gjithë. Kjo lidhej në fakt edhe me historinë e Hekalit, i njohur për patriotizëm, si një nga fshatrat e mëdha të Mallakastrës heroike.

Gjithashtu Balla në shënimin e tij thekson se
si Kryetar i Grupit Parlamentar Socialist do të vazhdojë të promovoj vlerat antifashiste, përpjekjet e pamohueshme dhe sakrificat sublime të popullit liridashës shqiptar në Luftën e Dytë Botërore.

“Këto vlera qëndrojnë në themel të Shqipërisë demokratike, të Europës demokratike dhe Shqipërisë europiane. Shqipëria po shkon në Europë, si Shqipëria e partizanëve, antifashistëve dhe çlirimtarëve”, deklaron Balla.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

Cakran, Fier Përkujtuam në Gorishovë 78-vjetorin e masakrës së Këshilltarëve të Hekalit, pjesë e këshilllit nacional çlirimtar, të cilët u pushkatuan nga një skuadër ushtarake gjermane. “Kalorës të Ismail Qemalit”, kështu u quajtën aso kohe këshilltarët.

Ishte i përbashkët ky epitet për të gjithë. Disa nga ata ishin pjesëmarrës në ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Atdhedashuria dhe heroizmi i tyre është vazhdim nëpër vite dhe e përbashkët për të gjithë. Kjo lidhej në fakt edhe me historinë e Hekalit, i njohur për patriotizëm, si një nga fshatrat e mëdha të Mallakastrës heroike. Ky fshat me tradita i dha Luftës 170 partizanë dhe 40 dëshmorë të atdheut.

Partizanët shqiptarë dhe këshillat nacional çlirimtare luftuan kundër okupatorëve të egër, të cilët nuk erdhën në Shqipëri si kalimtarë, por me një qëllim të qartë dhe të deklaruar: pushtimin e vendit. Këtë nuk e themi vetëm ne, nuk e thonë as vetëm historianët seriozë dhe patriotë shqiptarë, por edhe studjues prestigjiozë të huaj. Historiani amerikan Bernd Fischer, në librin e tij “Shqipëria gjatë luftës, 1939-1945”, duke iu referuar dokumenteve gjermane, e përshkruan hyrjen e forcave gjermane në tokën shqiptare si një pushtim i vërtetë: “Planifikuesit ushtarakë të Vermahtit gjerman, nënvizon Fischer, i kishin përgatitur mirë planet për pushtimin e Shqipërisë.”

Si Kryetar i Grupit Parlamentar Socialist do të vazhdoj të promovoj vlerat antifashiste, përpjekjet e pamohueshme dhe sakrificat sublime të popullit liridashës shqiptar në Luftën e Dytë Botërore. Këto vlera qëndrojnë në themel të Shqipërisë demokratike, të Europës demokratike dhe Shqipërisë europiane. Shqipëria po shkon në Europë, si Shqipëria e partizanëve, antifashistëve dhe çlirimtarëve.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel