“Më 18 dhjetor ndahemi nga e shkuara”/ Basha në “Open”: Berisha në PD, e kemi paguar një faturë

17/12/2021 12:07

Nga emisioni “Open” në Top Channel, Lulzim Basha tha se brenda PD-së, nuk ka një krizë legjitimiteti.

Ka një krizë legjitimiteti të Sali Berishës në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët e kanë cilësuar non-grata, ka një vendim të Partisë Demokratikë, timin si kryetar i Partisë Demokratike, për pezullimin e tij nga grupi parlamentar dhe ka një lëvizje të Sali Berishës për t’iu imponuar demokratëve me një lëvizje dumbabiste dhe për të marrë peng Partinë Demokratike për ta përdorur si mburojë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Lulzim Basha e shikon kuvendin kombëtar të 18 Dhjetorit si një mundësi të artë për ta ndarë PD-në nga e shkuara dhe kulti individit.

Partia Demokratike, për një kohë shumë të gjatë e ka lidhur fatin me Sali Berishën dhe është identifikuar me Sali Berishën. Kjo ka vazhduar edhe pasi Sali Berisha dha dorëheqjen. Dhe për këtë Partia Demokratike dhe demokratët kanë paguar një faturë. E kanë paguar heshturazi. E kanë pranuar heshturazi. Një pjesë e madhe e përgjegjësisë për të e mbaj unë sepse unë kam qenë i zgjedhur me një anëtarë një votë që e kam pranuar heshturazi. Kam pranuar heshturazi faturën e një Sali Berishe që tha lamtumirë, por që nuk iku kurrë as fizikisht, as me akte”.

Për procesin ligjor në Gjykatën e Tiranës, në miratimin e ndryshimeve statutore të Berishës, Lulzim Basha tha:

A ka gjykatës në botë që të konsiderojë, t’i shkojë në mendje, të legjitimojë diçka të tillë.. Çështja është e zgjidhur. Demokratët kanë një kundërshtarë. Problemi është që ka një njeri në gjirin e familjes tonë dhe jo një njeri dosido, por një njeri që ka qenë President, Kryeministër, kryetar opozite dhe kryetar i PD-së për 23 vite, i cili është shpallur nongrata. Ju thash që më 11 dhjetor nuk do të ndodh asgjë. Asgjë nuk ndodhi më 11 dhjetor, asgjë nuk ka për të ndodhur me këtë lëvizje të lindur vetëm e vetëm për halli personal të Sali Berishës. Ajo është e destinuar të shuhet”.

Top Channel