Mbështetësit e Berishës ngrenë Komisionin e mbikëqyrjes së referendumit për shkarkimin e Lulzim Bashës

17/12/2021 12:11

Pesëmbëdhjetë anëtarë të Komisionit të Rithemelimit të PD-së të enjten kanë vendosur për ngritjen e një komisioni që do merret me organizimin e referendumit të 18 dhjetorit për të zyrtarizuar shkarkimin e Lulzim Bashës.

Ky komision përbëhet nga pesë anëtarë dhe ka përgjegjësinë të organizojë, mbikëqyrë dhe drejtojë procesin referendar të datës 18.12.2021 deri në nxjerrjen dhe shpalljen e rezultatit përfundimtar të tij.

Një lëvizje e tillë e lë fatin e Bashës në dorë të anëtarësisë dhe jo të një pakice. Me që Basha ishte zgjedhur me një anëtar një votë në verën e kaluar, ai do të shkarkohet po me të njëjtin parim.

Pasi shkarkimi i Bashës të bëhet fakt, sipas mbështetësve të Berishës, Partia Demokratike do të drejtohet përkohësisht nga një Komision Rithemelimi i cili do ta drejtojë atë deri në 22 mars.

Ish-lideri i PD-së, Sali Berisha të shtunën e 11 dhjetorit mbajti Kuvendin Kombëtar me rreth 5 mijë delegatë dhe mijëra mbështetës për të shkarkuar kreun aktual, Lulzim Basha.

Nga “Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD-së”, u miratuan disa ndryshime statutore dhe shkarkimi i Bashës.

Për këtë të fundit, fjalën e fundit e ka referendumi i 18 dhjetorit nga anëtarësia e PD-së.

Nga ana tjetër, Basha çdo vendim të dalë nga ky Kuvend e ka quajtur nul dhe 18 dhjetori sipas tij do të jetë Kuvendi i vetëm Kombëtar i legjetimuar.

Top Channel