Kancelari gjerman, “grusht në tryezë”:”Kufijtë e Europës, nuk preken”

17/12/2021 16:39

Kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, u takua me liderët e tjerë të Bashkimit Europian në samitin e Brukselit.

Antagonizmi rus në kufirin me Ukrainën dominoi agjendën pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy u takua me Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, si dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

Scholz zhvilloi bisedime me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, raporton DW.

“Ne do të theksojmë përsëri se paprekshmëria e kufijve është një bazë e rëndësishme për paqen në Europë. Së bashku do të bëjmë gjithçka që kjo paprekshmëri të vlen”, tha Scholz.

Pjesëmarrja e kancelarit gjerman në takimin e Këshillit Europian erdhi një ditë pas fjalimit të tij inaugurues në Bundestag dhe me një sërë krizash me të cilat BE-ja duhet të përballet, duke përfshirë tensionet e vazhdueshme me Rusinë dhe aleatin e saj, Bjellorusinë, si dhe pandeminë e koronavirusit dhe çmimet e larta të energjisë.

BE-ja tashmë po planifikonte të diskutonte sanksionet e mundshme që mund të vendoste, nëse Rusia do të ndiqte veprime agresive ndaj Ukrainës.

Zelenskyy u bëri thirrje udhëheqësve evropianë që të vendosin sanksione menjëherë në vend që të presin.

Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë – një rajon i Ukrainës në Detin e Zi – në vitin 2014, dhe që atëherë ka mbështetur luftëtarët separatistë pro-rusë në rajonin lindor të Donbasit.

Moska synon ta mbajë Ukrainën që të mos afrohet shumë me BE-në dhe NATO-n, duke kërkuar vazhdimisht që mundësia e pranimit të hiqet nga tavolina.

Udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s kanë kundërshtuar kërkesën për të përjashtuar anëtarësimin e mundshëm, por gjithashtu thonë se Kievi është ende shumë larg anëtarësimit në secilën organizatë.

Top Channel