“Bashkëqeverisja”/ Rama: 95% e shërbimeve në administratë kryhen përmes sistemit e-Albania

17/12/2021 15:42

Lezha është stacioni i radhës i kryeministrit Edi Rama këtë të premte në funksion të takimeve sensibilizuese për “Ligjin e Bashkëqeverisjes”.

Rama theksoi se 95 për qind e shërbimeve mund të kryhen online përmes portalit qeveritar e-Albania dhe vetëm 5% kanë nevojë për prezencë fizike në administratën shtetërore.

95% e shërbimeve mund të kryhen online përmes portalit qeveritar e-Albania, vetëm 5% kanë nevojë për prezencë fizike në administratën shtetërore, p.sh., martesat. Këto nuk bëhen dot digjitale pasi duhet të jenë prezent njëri dhe tjetri dhe duhet të thonë ato fjalët, plus dhe dëshmitarët. Dëshmitarët digjital nuk janë shpik akoma, mbase do vije dhe ajo kohë që do bëhen dhe martesat digjitale me siguri, por për momentin këtë nuk e ka bërë njeri në botë dhe nuk kemi si ta bëjmë ne”, tha kryeministri.

Sipas tij, mbi 1,200 shërbime nuk kanë nevojë për prezencë fizike, të cilat realizohen pa dalë nga shtëpia në rast se dikush ka një smartphone apo kompjuter.

Nëse nuk ka as smartphone as kompjuter, te posta, te njësia më afërt ose te një fqinj që mund ta bëj këtë gjë për ty dhe mos të humbasësh kohë për të marrë rrugën apo për të pritur në radhë”, tha ai.

Kryeministri tha se ligji u kthye mbrapsht nga Presidenca për arsye që janë bërë të ditura tashmë, duke theksuar më tej se do të kthehet në Kuvend për t’u votuar ashtu siç është.

Ligji është kthyer mbrapsht nga Presidenti. Do të rihyjë në Kuvend dhe do të votohet ashtu siç është. Duke bërë tani që marrëdhënia e qytetarit me administratën të jetë një marrëdhënie e ligjëruar në aspektin e detyrimit të çdo zyre përgjegjëse për ta trajtuar çdo ankesë të drejtpërdrejtë të qytetarit dhe për t’i dhënë drejtim”, tha Rama.

Ky është takimi i katërt për prezantimin e këtij mekanizmi të ri detyrues ligjor. Kjo ka ardhur për ta çliruar qytetarin nga pesha e administratës.

Ky ligj ka të bëjë me dhënien e plotë të aksesit në shërbimet administrative përmes smartphonit apo kompjuterit dhe duke e përballur administratën me pasojat e çdo vonese në shërbimin ndaj qytetarit.

 

Top Channel