E akuzuar se shfrytëzonte një të mitur për prostitucion, e arrestuara e plagosjes në dhomën e një hoteli në autostradën Durrës-Tiranë shton listën e veprave penale ndaj saj.
Një javë pas ngjarjes, policia e Durrësit ka arrestuar edhe një tjetër person të akuzuar për “Moskallëzim krimi”, ndërsa mbetet në kërkim policor i riu që shkrepi armën. Arrestimi i fundit sjell në vëmendje dhe një nga personazhet më intrigues të kësaj historie.
Menjëherë pas plagosjes në dhomën e hotelit ku ndodheshin 3 djem dhe 1 vajzë, e cila u përfol se ishte transgjinore, policia mundi të arrestonte 22-vjeçaren Anxhela B. dhe recepsionistin e hotelit, i cili po hetohet në gjendje të lirë. Gjykata e Durrësit ka lënë në qeli vetëm vajzën që po ndante dhomën me 3 djemtë, njëri prej të cilëve mbeti i plagosur.
Pas veprimeve të para, rezultoi se Anxhela B kishte thyer masën e sigurisë që ishte në fuqi ndaj saj. Që nga muaji prill i këtij viti, 22-vjeçarja është e pandehur në një proces gjyqësor për shfrytëzim prostitucioni të një vajze të mitur nga Shkodra, që ishte larguar nga banesa pa dijeninë e familjes në atë kohë.
Vajza nga Shkodra në vitin 2018 ka jetuar në një dhomë plazhi me qira së bashku me Anxhelën me të cilën e ka njohur një shok i ish-të dashurit të saj, edhe ai i akuzuar për shfrytëzim të së miturës. Bashkëjetesa në të njëjtën dhomë në plazhin e Durrësit nuk ka zgjatur veçse pak ditë, pasi e mitura me pseudonimin Egla është larguar pasi ka kuptuar se Anxhela B. ishte përdoruese narkotikësh dhe e dhunshme.
Pak kohë më pas në një lokal në qendër të Durrësit ka plasur sherri mes tyre dhe ndërhyrja e policisë ka zbardhur një tjetër krim. E mitura ka deklaruar se Anxhela dhe shoku i saj i gjenin klientë për të kryer marrëdhënie seksuale nëpër hotele të ndryshme në Durrës kundrejt shpërblimit, pagesës për çdo rast dhe përfitimet e paligjshme i ndanin të pandehurit mes tyre.
Sipas hetimeve, për çdo rast të ushtrimit të prostitucionit klientët paguanin shuma nga 50 deri në 60 euro. Anxhela B. teksa ndodhet nën gjykim për shfrytëzim prostitucioni dhe ishte në masën e sigurisë “arrest në shtëpi” e ka thyer atë, duke përfunduar me tre djem në një dhomë hoteli në autostradë. Edhe në këtë rast, një ngjarje e re kriminale ka nxjerrë në pah një tjetër krim në të cilin është përfshirë 22-vjeçarja e cila tashmë e ka rënduar ndjeshëm pozitën e saj penale.
Përveç gjykimit për shfrytëzim për prostitucion të një vajze kur ishte ende e mitur, është nën hetim edhe për ngjarjen e një jave më parë. Prokuroria ka ngritur ndaj saj akuzën për “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armeve shpërthyese dhe i municionit”, ” Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe ” Largim i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, vepra këto të parashikuara nga nenet 278/1, 301, 323/1 te K.Penal. Përveç këtyre dy ngjarjeve, e arrestuara njihet nga policia si e përfshirë dhe në ngjarje të tjera penale.
Top Channel