Në Greqi vetëm me test PCR/ Masa të reja nga 19 dhjetori, frikë nga udhëtimet për festat e fund vitit

16/12/2021 01:21

Të vaksinuar ose jo, prej datës 19 dhjetor ora gjashtë e mëngjesit të gjithë udhëtarët që hyjnë në Greqi duhet të jenë të pajisur edhe me një test negativ të kontrollit molekular (PCR), të kryer në 48 orët e fundit.

Ky është vendimi urgjent i ministrisë së Shëndetësisë që është publikuar mbrëmjen e së mërkurës në kuadër të përpjekjes për kontrollin e pandemisë Covid-19. Nga kjo masë përjashtohen vetëm ata persona që kanë udhëtuar jashtë Greqisë dhe janë kthyer brenda 48 orëve. Vendimi në fjalë lidhet drejtpërdrejt me frikën e rritjes se infektimeve me varantin Omicron në të gjithë Europën e sidomos në Britani dhe duke pasur parasysh lëvizjen e madhe të njerëzve në prag të Krishtlindjeve, ndërsa publikohet ditën kur Greqia ka filluar vaksinimin e fëmijëve të moshës nga 5-11 vjeç.

“Mendoj se është thelbësore që të kontribuojmë në mbrojtjen e të gjithëve. Është edhe për vajzën time, por edhe për të gjithë ne. Besoj se është përgjegjësia jonë dhe të gjithë duhet të kontribuojmë. Kështu që u regjistruam sapo u hap sistemi elektronik”- tha një shtetase.

Vaksinimi i fëmijëve kryhet me dy doza, por me një të tretën e sasisë që i injektohet një të rrituri. Përveç Greqisë kanë filluar vaksinimin e fëmijëve edhe Italia, Spanja dhe Hungaria.

“Erdha bashkë me djalin për t’u vaksinuar. Çdo gjë është shumë e organizuar dhe procesi shumë i shpejtë. Sigurisht, djali do kryejë edhe dozën e dytë sa më shpejt që të jetë e mundur që të jemi plotësisht të mbrojtur”- tha një shtetase tjetër.

Sipas ministres së Arsimit janë mbyllur më shumë se 31000 vaksinime për fëmijët e kësaj grup moshe, ndërsa një raport i autoriteteve shëndetësore thekson se në javën e kaluar mbi 26% të infektimeve ditore u takonin fëmijëve nga 4-18 vjeç. Pas rekordit të vdekjeve të ditës së martë me 130 humbje jete, gjatë 24 orëve të fundit Greqia regjistroi 77 viktima nga Covid-19, 4801 infektime ditore dhe 683 paciente ndodhen në intubim.

Top Channel