Marrëveshja me Britaninë për transferimin e të burgosurve, Manja në Kuvend: Lehtëson bashkëpunimin me autoritetet gjyqësore

16/12/2021 12:48

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja tha këtë të enjte në Kuvend se marrëveshja për transferimin e të burgosurve shqiptarë nga Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriu  lehtëson bashkëpunimin me autoritetet gjyqësore me Mbretërinë e Bashkuar.

Ai shtoi se marrëveshja garanton shqiptarët e dënuar në Mbretërinë e Bashkuar ta vuajnë dënimin në Shqipëri, ku mund të riintegrohen nga ana sociale dhe do mund të jenë më pranë të afërmve.

“Kjo marrëveshje lehtëson bashkëpunimin me autoritetet gjyqësore me Mbretërinë e Bashkuar. Ratifikimi i marrëveshjes është një tregues i besimit që autoritetet gjyqësore të huaja u japin autoriteteve gjyqësore shqiptare duke mbajtur në konsideratë progresin në reformën në drejtësi.

Marrëveshja përmirëson kushtet dhe rregullat për personat e dënuar nga të dy shtetet palë, në funksion të lehtësimit dhe riintegrimit social të shtetasve të njërit kontraktues që vuajnë dënimin në shtetin tjetër. Garantojmë që shtetasit shqiptarë që janë dënuar në Mbretërinë e Bashkuar, të kenë një mundësi që në rast se i shërben riintegrimit social, të vijnë e të vuajnë dënimin në Shqipëri, ku mund të jenë më pranë të afërmve të tyre.

Marrëveshja që kemi pasur ka qenë e pamundur për t’u zbatuar. Marrëveshja rregullon aspektet proceduriale që kanë qenë pengesë. Janë përmirësuar dispozitat që lidhen me detyrimin dhe përkthimin e akteve dhe dokumentacionit të nevojshëm që shtetësi marrës duhet t’i japë shtetit transferues, dhe informacionin e nevojshëm që kërkon. Janë përmirësuar parashikimet që parashikojnë vazhdimin e dënimit”, tha Manja.

Referuar kësaj marrëveshje që pritet të miratohet sot në Kuvend, shqiptarët e dënuar në Angli për vepra të ndryshme penale mund të transferohen për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në Shqipëri me procedura më të thjeshta dhe të shpejta. Jo vetëm kaq, por shqiptarët në burgjet angleze mund të përfitojnë edhe ulje dënimi nëse transferohen në Shqipëri, në rastet kur Kodi Penal shqiptar parashikon një dënim më të ulët se sa ligji penal anglez për të njëjtën vepër penale konkrete.

Kështu parashikon marrëveshja e re mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut për transferimin e personave të dënuar.

Marrëveshja ka nisur të shqyrtohet nga komisionet parlamentare, për t’u miratuar sot me disa ndryshime në seancë plenare.

Aktualisht mes Shqipërisë dhe Anglisë zbatohet një marrëveshje e vitit 2013 për transferimin e ndërsjellë të të dënuarve.

Palët kanë vendosur ta ndryshojnë këtë marrëveshje, për shkak të vështirësive për zbatimin e saj dhe ndryshimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Në Angli ka rreth 1 500 shqiptarë të dënuar. Ndërkaq, në burgjet shqiptare nuk ka më shumë se 100 vende të lira.

Top Channel