Vrasja e Jurgen Dukës në market/ Bie në pranga për moskallëzim krimi njëri nga djemtë e pranishëm

15/12/2021 10:23
Viktima Jurgen Duka majtas dhe autori djathtas

Njëri nga djemtë e pranishëm në vrasjen e Jurgen Dukës në një market në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë është arrestuar një ditë pas ngjarjes.

Orgest Drazhi, 36 vjeç, personi me të bardha në videon e kamerave të sigurisë ndodhet aktualisht në rajon, ndërkohë vijojnë kërkimet për të kapur autorin, Arbër Sula.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit O. D., 36 vjeç, pasi në rrugën “Irfan Tomini“, duke qenë prezent në konfliktin e çastit ku humbi jetën shtetasi J. D., nuk ka kallëzuar krimin. Ndërkohë nga shërbimet e Policisë, vijon puna intensive për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë të autorit të krimit, shtetasit A. S”, sipas policisë.

Nga pamjet e siguruara nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, sherri ka nisur mes të rinjve në brendësi të ambienteve të marketit, ndërsa ata po kalonin produktet në kasë.

Jurgen Duka (Meziri), është konfliktuar me policin A.S. i cili ishte jashtë shërbimit,  ku ky i fundit e ka qëlluar me armë zjarri.

Sipas informacioneve, sherri ka nisur për arsye banale për radhën në market. Viktima dhe autori ishin futur në market si klientë dhe debati ka nisur se kush do paguante i pari.

Nga pamjet kuptohet se fillimisht autori është konfliktuar me personin me të bardha, ndërsa viktima është futur për t’i ndarë, ndërsa më pas Duka ka qëlluar me grusht autorin dhe aty janë futur në sherr të gjithë personat, veç shitësit, i cili ndodhej në kasë.

Viktima Jurgen Duka majtas dhe autori i paidentifikuar djathtas

Autori vërehet se mbante gjithë kohës dorën në çantën në brez, ku dyshohet se mbante edhe armën.

Në momentet e fundit të debatit, autori ka qëlluar Dukën, i cili përfundoi i shtrirë, ndërsa gjithë të tjerët u larguan jashtë marketit.

Viktima rreth 29 vjeç nuk ka mundur t’u shpëtojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në Spitalin Universitar të Traumës.

Autori i vrasjes së  Dukës është identifikuar nga policia. Ai është një punonjës policie në Dibër, por banues në Sauk. Nga hetimet rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit dhe autori i dyshuar nuk ka qenë në shërbim gjatë ngjarjes.

Gjithashtu, grupi hetimor gjatë kontrollit të rrobave të viktimës ka gjetur 2.8 gramë kokainë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një gëzhojë pistolete.

Mësohet se Jurgen Duka është person me precedent të mëparshëm kriminal. Në 2020-ën ai ra në pranga së bashku me Elison Hysenbelli në kuadër të operacionit anti-drogë mes Italisë dhe Shqipërisë që u zhvillua në Marche, Emilia Romagna, Lombardi dhe Liguri dhe do të ekstradohej drejt vendit fqinj për t’u gjykuar.

Mbetet e paqartë se si viktima u lirua nga qelia. Operacioni “Riviera” u zhvillua nga Prokuroria Rajonale Antimafia në Bolonja, në bashkëpunim me Grupin e Operacioneve Speciale (ROS) të Karabinierisë në Bolonja.

Top Channel