Shtetet e Bashkuara po i ndjekin me shumë vëmendje lëvizjet e Serbisë. Christopher Hill, i emëruari për postin e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Serbi e cilësoi shqetësues faktin që Beogradi po i drejtohet për armë Rusisë e Kinës, edhe pse shtoi se nuk mungon gatishmëria për ta ndihmuar vendin t’u rezistojë ndikimeve dashakeqe, përfshirë ato nga Rusia dhe Kina.

Është veçanërisht shqetësuese të shohim Serbinë për shembull, që kërkon të bëjë blerje ushtarake – të cilat i shohin si të nevojshme në momentin që po përpiqen të kenë ushtri të klasit të parë – e është mjaft shqetësues fakti që për këtë, i drejtohen Rusisë. Dhe është gjithashtu shqetësuese të shohim se ata po shohin nga Kina për disa nga nevojat e tyre për infrastrukturën”, tha Hill.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për t’u treguar atyre (Serbisë) se ne ofrojmë një model më të mirë, ne ofrojmë alternativa më të mira për ta”, tha ai, duke shtuar se këtë synon të bëjë si ambasador nëse konfirmohet.

Hill, një diplomat me përvojë të gjatë lidhur me Ballkanin, u emëruar nga presidenti Joe Biden në këtë post në muajin tetor.

Para se të tërhiqej nga shërbimi i Jashtëm në vitin 2010, ai ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Irak, Kore, Poloni dhe Maqedoni, si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe si Shef i delegacionit amerikan në bisedimet për Korenë e Veriut, ndërsa ishte përfaqësuesi i parë diplomatik i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, pas 45 vjetësh izolimi.

Top Channel