Paga mesatare në ekonomi është ulur si në sektorin privat dhe në atë shtetëror.
Sipas INSTAT, paga mesatare zbriti në 56.4 mijë lekë në tremujor e tretë, nga 56.7 mijë lekë që ishte në tremujorin e dytë. Ulja më e madhe e pagave është shënuar për bankierët dhe specialistët e IT, edhe pse renditen si ndër profesionet më të paguara në vend, teksa për sektorët e tjerë ndryshimet e pagës kanë qenë të papërfillshme.
Por , teksa çmimet rriten pagat nuk ndjekin të njëjtin trend, dukuri që sipas ekspertëve ka përkeqësuar ndjeshëm nivelin e jetesë.
“Pakësimi i qarkullimit të parave që qarkullojnë në ekonomi në formën e shpërblimi, pagës kuptohet që e bën edhe më të vështirë tregtinë dhe ofrimin e shërbimeve. Stanjacioni në paga ka prodhuar përkeqësim të nivelit të jetesës sepse inflacioni ka bërë punën e vet. Rritja e çmimit të kohëve të fundit nxit polarizimin e shoqërisë dhe dëshmon mungesën e politikave korrigjuese në nxitjen e prodhimit vendas”.
Rritja e fortë e çmimeve dhe niveli i ulët i të ardhurave vlerësojnë ekspertët do ta fusë ekonominë në një rreth vicioz ku qytetarët do të detyrohen të blejnë gjithnjë e më pak.
“Grupet dhe shtresat shoqërore që janë në këto nivele pagash janë të persekutuar si nga rritja e çmimeve ashtu edhe nga mekanizmat që përdorin punëdhënësit që një pjesë e tyre detyrohen të rikthejnë në ‘cash’ ato para që kanë marrë përmes sistemit bankar. Situata rrezikon të vijë në përkeqësim këto efekte mbarten të gjitha nga konsumatori final dhe duhet hequr dorë nga rritja e taksave e tarifave nga shërbimet e produktet bazë“.
Bujqësia, ndërtimi, aktivitetet e industrisë, tregtisë e shërbimeve vijojnë të jenë edhe sektorët më pak të paguar në vend. Kjo bën që shumë prej tyre të vuajnë edhe mungesë e punonjësve për shkak të nivelit të ulët të të ardhurave që sigurohen prej tyre.
Top Channel