Një udhëzim i ri ka dalë për të gjithë individët që merren me shit-blerjen e pronave.
Tatimet njoftojnë se ndërtuesit apo investitorët që janë të pajisur me NIPT dhe regjistrohen në QKR nuk do paguajnë tatimin 15% mbi të ardhurat personale, por vetëm taksat vendore për pasuritë e paluajtshme, në momentin që duan të shesin, dhurojnë apo heqin dorë nga pronësia.
Nga krahu tjetër, për të ndalur abuzimet Tatimet njoftojnë se investitorët që nuk kanë NIPT të regjistruar dhe shesin prona do paguajnë edhe tatim mbi të ardhurat edhe taksat vendore. Ky rregull vlen edhe për individët që pajisen me NIPT gjatë procesit të shitjes, por edhe për ata që lejen e ndërtimit e kanë si individë, por në momentin e shitjes pajisen me NIPT.
Udhëzimi parashikon ndryshime edhe për ata që përfitojnë sipërfaqe në ndërtim në shkëmbim të truallit.
Në këtë mënyrë nëse si pronar i toke keni marrë apartamente apo dyqane, në momentin që do t’i bëni ndryshimin e pronësisë ju do tatoheni nëse krijohet një diferencë nga çmimi që do e shisni në bazë të referencës me çmimin kur është këmbyer trualli me sipërfaqen e ndërtimit.
Pra, nëse trualli juaj është vlerësuar para 10 viteve dhe çmimi i apartamenteve që morët në këmbim rritet me kalimin e kohës ju do tatoheni për diferencën.
Gjithashtu tatim do paguhet edhe për pjesëtimin e pasurisë në bashkëpronësi. Që kjo të ndodhë duhet të plotësohen dy kushte.
E para nëse krijohet një pabarazi në ndarjen në natyrë të pjesëve dhe e dyta nëse vlera e kompensimit për pjesët jo të ndara në natyrë është më e madhe se vlera e pjesëve në kohën e krijimit të bashkëpronësisë.
Top Channel