Krizat e PD shtyjnë reformat në janar/ Balla: Në 2022 nisim punën për reformën zgjedhore dhe vetting-un

15/12/2021 15:13

Situata kaotike ku është përfshirë Partia Demokratike, natyrshëm e vendos në plan të dytë jetën parlamentare të kësaj force politike dhe prioritetin e kuvendit në zgjatjen e afatit të veprimit të organeve të vetting-ut.

Megjithatë Taulant Balla, kreu grupit parlamentar socialist, i tha Top Channel se për shumicën socialiste kjo situatë në PD nuk përbën asnjë problem në realizimin e ndryshimit kushtetues.

Në sesionin e ri parlamentar janar 2022 depozitojmë raportin e këshillimit të legjislacionit dhe komisionit të ligjeve për ndryshimin kushtetues. Agjenda e punës në Kuvendin e Shqipërisë për çdo propozim, ndryshimesh në ligj, qofshin këto edhe propozime në ligjin themelor të shtetit, sikurse është Kushtetuta që vazhdon të ecë përpara. Në fillim të sesionit të ri të Kuvendit të Shqipërisë, pra pas 17 janarit, kur është seanca e parë plenare të kemi të depozituar nga ana e mbledhjes së përbashkët të këshillit të legjislacionit dhe komisionit të ligjeve”, tha Balla.

Balla tregon edhe progresin e deritanishëm për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore.

Çështjet që lidhen me reformën zgjedhore do të jenë pjesë e programit të punës së komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore, për të cilin siç jeni në dijeni kemi dakordësuar për pjesën më të madhe, mbetet një element që nuk ka qenë pjesë e objektit të punës në vendimet e mëparshme të Kuvendit”, tha ai.

Top Channel