Albana Vokshi akuzon Lulzim Bashën se i ka shpërthyer zyrën dhe i ka ndryshuar bravën

15/12/2021 15:14

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi të mërkurën ka denoncuar ndryshimin e bravës së zyrës së Lidhjes Demokratike të Gruas në selinë e PD-së. Ajo akuzoi drejtpërdrejt Lulzim Bashën si njeriun që ka urdhëruar ndryshimin e tyre, me qëllim pengimin e punës së Komisionit të Rithemelimit të PD-së.

Përpara gazetarëve Vokshi tha se deputeti Lulzim Basha ka shpërthyer dyert dhe ka zëvendësuar bravat.

Ajo theksoi se në këtë zyrë ka materiale që i përkasin kësaj organizate, e cila nuk varet nga lidershipi i Partisë Demokratike, pasi është një organizatë partnere.

Vokshi e konsideroi një veprim të tillë si anti-statutor dhe të dënueshëm penalisht.

Unë jam këtu me zonjat anëtare të Komisionit të Rithemelimit të PD-së. Sot kishin vendosur që në selinë e PD-së të zhvillonim një takim me Lidhjen Demokratike të Gruas, Tiranë. Unë po provoj çelësin e zyrës dhe dua t’ju informoj se deputeti Basha ka shpërthyer dyert dhe ka zëvendësuar bravat. Në këtë zyrë ndodhet një pjesë jo e vogël e Lidhjes Demokratike të Gruas dhe këtu nuk po flas për sende personale”, tha ajo.

Duke e konsideruar një veprim të dhunshëm, deputetja demokrate tha se është kryer pa dijeninë e saj.

Ajo akuzoi Lulzim Bashën se në bashkëpunim me Edi Ramën nuk mund të zaptojnë selinë e PD-së, pasi kjo e fundit është shtëpia e të gjithë demokratëve.

Vokshi, duke iu drejtuar me statusin e deputetit, i kujtoi Lulzim Bashës se me datë 11 dhjetor është shkarkuar nga 4.446 delegatë të Kuvendit Kombëtar.

Kjo seli i takon të gjithë demokratëve. As Lulzim Basha dhe as Edi Rama nuk kanë mundësi të pengojnë vullnetin e demokratëve”, tha ajo.

 

Top Channel