Turqia dhe Armenia bëjnë hapa drejt normalizimit të raporteve

14/12/2021 15:24

Turqia dhe Armenia kanë njoftuar se do të emërojnë të dërguar të posaçëm, të cilët do të punojnë për përmirësimin e raporteve, që janë të tensionuara për dekada të tëra.

Ankaraja dhe Jerevani nuk kanë pasur asnjëherë raporte zyrtare diplomatike. Turqia, një aleate kyçe e Azerbajxhanit, shtet ku flitet turqishtja, e ka mbyllur kufirin me Armeninë që prej viteve të 90-ta, për shkak të, siç ka thënë, okupimit të Nagorno-Karabakut me rrethinë nga Armenia.

Tensionet janë rritur ndër vite për Nagorno-Karabakun, një rajon me popullsi etnike armene, por që ndërkombëtarisht njihet si pjesë e Azerbajxhanit. Ky rajon ishte shkëputur nga Azerbajxhani në fillim të viteve të 90-ta.

Në vjeshtën e vitit 2020, Armenia dhe Azerbajxhani zhvilluan një luftë gjashtëjavore në këtë rajon të diskutueshëm, luftë që u mori jetën mbi 6,500 personave. Konflikti përfundoi pas një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia, sipas të cilës, armenët kthyen kontrollin e territoreve që i kishin pasur për vite tek Azerbajxhani.

Pasi tensionet kanë vazhduar ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, me luftime sporadike, kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev pritet të takohen në Bruksel më 14 dhjetor, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Armenia është e gatshme për procesin e normalizimit të raporteve me Turqinë “pa kushte”, tha më 14 dhjetor zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme armene, Vahan Hunanian.

Hunanian konfirmoi se Jerevani do të emërojë një përfaqësues të posaçëm për normalizimin e raporteve me Turqinë. Ky njoftim erdhi një ditë pasi një njoftim të ngjashëm e bëri edhe ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu.

“Dy shtetet respektive do të caktojnë përfaqësues për normalizim”, tha Cavusoglu para ligjvënësve turq, duke shtuar se “ne do të nisim fluturimet direkte Jerevan-Stamboll në të ardhmen”.

Nagorno-Karabaku, i populluar kryesisht me armenë, shpalli pavarësinë nga Azerbajxhani, pas luftës së viteve 1988-94, ku u vranë 30,000 persona dhe u zhvendosën qindra mijëra të tjerë.

Armenia dhe Turqia kishin nënshkruar një marrëveshje më 2009 për normalizimin e raporteve, që kishte për qëllim hapjen e kufirit ndërmjet dy shteteve, por kjo marrëveshje nuk u ratifikua kurrë.

Raportet mes Turqisë dhe Armenisë janë të tensionuara që prej vrasjes masive dhe dëbimit të armenëve nga otomanët turq, në periudhën e Luftës së Parë Botërore. Armenia insiston se masakra është gjenocid, por Turqia e refuzon një pretendim të tillë./rel

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA