Tragjedia e ngushticës angleze: Autoritetet franceze identifikojnë 26 viktima (fotot)

14/12/2021 21:46

Autoritetet franceze kanë identifikuar formalisht 26 nga 27 trupat e rekuperuar të tragjedisë së mbytjes masive të muajit të shkuar në ngushticën Pas De Calais drejt Anglisë.

Gjashtëmbëdhjetë kurdë nga Iraku dhe katër afganë ishin mes viktimave, familjet e të cilave janë informuar.

Mes tyre ishin dy shokë nga i njëjti qytet, të cilët u shuan në tragjedinë më të rëndë të emigrantëve në këtë trup ujor.

Barka e tyre e gomës ishte fundosur teksa tentonin të lundronin nga Franca drejt Anglisë më 24 nëntor.

Rrjeti BBC foli me familjet e 18 vjeçarit Rezhwan Hassan, dhe 27-vjeçarit Afrasia Mohammed, të dy nga qyteti kurd i Rania në Irak.

Familjet e tyre nuk kishin marrë më lajme prej tyre që prej natës së katastrofës.

Dy miqtë u kishin paguar trafikantëve mijëra dollarë për t’i ndihmuar të arrinin në Britani.

Në fund të tetorit ata kishin shkuar me avion në Bjellorusi, që është kthyer një nga rrugët kryesore të emigracionit drejt BE. Më pas ata kishin kaluar ilegalisht kufirin e BE dhe kishin arritur në Francë.

“S’ka mbetur më jetë për të jetuar”

Rezhwan Hassan ishte një marangoz që ëndërronte një jetë më të mirë në Britani. Nipi i tij  Dahin Hama, ishte përpjekur ta bindte të mos nisej.

“Ne ishim si vëllezër, miqësia jonë ishte e fortë,” thotë Dahin Hama. “Ai thoshte përherë se donte të emigronte nga Kurdistani. Thoshte se nuk duronte dot të jetonte këtu, thoshte se nuk ka mbetur më jetë për të jetuar”.

Herën e fundit që ai dëgjoi nga Rezhwan ishte nata para lundrimit. Rezhwan i tha familjarëve se “herës tjetër do t’i kontaktonte nga Anglia”.

Disa orë më vonë ai do të humbiste jetën, bashkë me 26 njerëz të tjerë.

Në barkë ishte edhe miku i tij Afrasia Mohamed.

Motra e këtij të fundit Nergiz Ahmed Mohammed, thotë se Afrasia besonte se Brtitania do t’i jepte një të ardhme të ndritur.

Sot autoritetet kurde i thanë familjes së trupi i tij ishte një nga 27 të gjeturit, por dhe përpara kësaj, familja ishte prej javësh në zi.

“Cfarë është më e rëndësishme? Jeta e njeriut apo kufijtë? Ku janë të drejtat e njeriut? Si mud t’i lënë nejrëzit të mbyten dhe të thonë se nuk është gjë?” thotë motra e viktimës.

Babai i viktimes Rezhwan Hassan

Maryam Nuri Mohamed Amin, ishte një vajzë kurde 24-vjeçare nga veriu i Irakut, dhe personi parë që u konfirmua si viktimë në fund të nëntorit.

Emra të tjera janë raportuar nga mediat vendase por mbetet ende për të verifikuar.

Ministria franceze tha se mes 16 viktimave kurde-irakene, ishin katër gra 22 deri në 46 vjeçe, një djalë 16-vjeçar, një fëmijë shtatë-vjeçar dhe dhjetë burra nga 19 deri në 37 vjeç.

Një tjetër viktimë kurde ishte nga Irani.

Tre etiopianë u identifikuan,  duke përfshirë dy gra 22 e 25 vjeçe, si dhe një burrë 46 vjeçar.

Një somaleze 33 vjeçare, katër burra afganë nga 24 deri në 40 vjeç, dhe një 20-vjeçar egjiptian gjithashtu u identifikuan.

Numra rekord emigrantësh po tentojnë lundrimin e rrezikshëm nga Franca drejt Britanisë përmes ngushticës.

Llogaritet se 40,000 njerez janë larguar nga rajonet kurde drejt Evropës vetem këtë vit. / BBC/ Përgatiti: Andi Lamko/

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA