Tensionet në PD/ Gjashtë ambasadorë takojnë Bashën në selinë blu! Kryedemokrati: Ishte për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen

14/12/2021 12:00

Ambasadorët e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, Britanisë, Italisë dhe BE-së u takuan me kreun aktual të PD-së, Lulzim Basha një ditë pas tensioneve të shtuara në selinë blu.

Ambasadorja amerikane dha sërish mesazh të koduar  me çantën në të cilën shkruhej: “Ambicie, respekt, punë në grup.”

Pas takimit  ambasadorët nuk folën për mediat, ndërsa ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur në mbledhjen e tyre.

Ndërsa Basha pas takimit tha për mediat në mënyrë të paqartë se takimi ishte për të djeshmen, të sotmen e të ardhmen.

“Ishte për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen”, tha kryedemokrati.

Ish-lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha hyri një ditë më parë në selinë blu për të zhvilluar një mbledhje bashkë me 29 anëtarët e Komisionit të Rithemelimit.

Ai tha se anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të PD-së, të zgjedhur në Kuvendin e 11 dhjetorit do zhvillojnë mbledhje në shtëpinë e demokratëve, me qëllim diskutimin e problemeve të rëndësishme të të ardhmes.

Berisha deklaroi se me zyrën e Bashës nuk ka askush punë, duke theksuar se “ vijmë këtu për të bërë një mbledhje. Deputeti Basha deri më datën 18 duhet të reflektojë për vendimin e Kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e kombit”.

“Jemi këtu për të sjellë vullnetin e shumicës së demokratëve shqiptarë. Siç e shihni janë anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të PD të zgjedhur në Kuvendin e fundit, të cilët kanë ardhur të vendosen në selinë e demokratëve dhe të diskutojnë për problemet e rëndësishme të të ardhmes. Tani ne po ngjitemi sipër. Në zyrën e Bashës nuk kemi punë. Sot vijmë këtu për të bërë një mbledhje. Deputeti Basha deri më datën 18 duhet të reflektojë për vendimin e kuvendit më të jashtëzakonshëm në historinë e kombit. Ne nuk kemi punë në zyrën e Bashës. I ka marrë të gjitha karriget në zyrën e tij se nuk i mjafton karrigia e vet”, tha Berisha më pas për mediat.

Sa ai përket kallëzimit në SPAK, ai u shpreh se është një firmë turpi, duke e quajtur deputet Bashën.

“Një tjetër firmë turpi e deputetit Basha që padit në prokurorinë e tij e të Ramës kolegët e vet. S’ka akt më të padenjë”, tha Berisha.

Pas futjes në ambientet e shtëpisë së PD-së, nuk munguan as akuzat për Bashën.

“Çmenduria e Bashës, ka marrë të gjitha karriget”, u shpreh ish-kryeministri i Shqipërisë.

Ky i fundit theksoi se vendimet që do të merren pas mbledhjes do të bëhen publike edhe për mediat.

Një ditë më parë në katin e dytë të ndërtesës së PD-së u zhvilluan dy mbledhje paralele. Në mbledhjen e Bashës të pranishëm ishin Gazmend Bardhi, Alfred Rushaj, Jonila Godole, Jemin Gjana dhe Fitim Zekthi.

Sipas një njoftimi të PD-së, u zhvillua një takim për raportimin e Grupit të Punës për zgjedhjet në FRPD.

Nga ana tjetër, Berisha dhe 28 anëtarët e tjerë të Komisionit të Rithemelimit u vendosën në sallën e mbledhjes së grupit parlamentar.

Dy ditë më parë Këshilli Kombëtar i PD vendosi shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka dhe anëtarëve të kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi, si dhe sekretarëve: Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi dhe Ledina Mandia.

FOTO GALERI
2/27

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA