Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua sot paradite me Ambasadorin e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Vincenzo del Monaco.

Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin midis Kuvendit dhe Prezencës së OSBE-sëgjatë vitit 2021 si edhe mbi disa prioritete të bashkëpunimit për vitin e ardhshëm.

Kryetarja Nikolla vlerësoi kontributin e Prezencës në konsolidimin e institucioneve demokratike si edhe angazhimin e Ambasadorit Vincenzo Del Monaco për profesionalizmin dhe kontributin e tij në kuadër të OSBE dhe Shqipëri. Institucionet shqiptare e kanë vlerësuar Prezencën si një partner të rëndësishëm dhe kanë vazhduar bashkëpunimin në disa fusha, në përputhje me mandatin e saj dhe prioritetet e Qeverisë së Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

“Zbatimi, me mbështetjen e BE-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, i reformave në fushat prioritare për konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve ligjbërëse e ligjzbatuese në Shqipëri, reforma në drejtësi, reforma zgjedhore, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, promovimin e qeverisjes së mirë dhe fuqizimi i shoqërisë civile, kanë pasur gjithashtu mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë me OSBE-së dhe Asamblenë Parlamentare. Ne kemi besim se ky bashkëpunim e kjo mbështetje do të vazhdojë. Shpreh mirënjohjen ndaj Asamblesë Parlamentare dhe OSBE-së për bashkëpunimin me Kuvendin, sidomos për mbështetjen e forcimit të lidhjeve të deputetëve me qytetarët dhe përmirësimin e transparencës.”, nënvizoi Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

Ambasadori del Monaco falenderoi Kryetaren Nikolla për vlerësimin e bashkëpunimit midis Kuvendit dhe Prezencës së OSBE-së dhe vuri në dukje se OSBE-së se performanca e Kuvendit të Shqipërisë gjatë këtij shërben edhe si një model për parlamentet e vendeve të rajonit, si për bashkëpunimin politik, ashtu edhe për bashkëpunimin teknik dhe administrativ me shërbimet parlamentare. Ambasadori del Monaco vlerësoi reformat që ka ndërmarrë Shqipëria dhe siguroi për mbështetjen e OSBE-së për avancimin dhe thellimin e tyre.

Top Channel