“Flamuri prej Çeliku” mbulon ambasadën italiane, vepra unike e artistit Helidon Xhixha

14/12/2021 14:01

Muri i jashtëm i Ambasadës së Italisë në Tiranë është veshur me tringjyrëshin e flamurit kombëtar të shtetit fqinj, por në formën më të lartë të një arti kontemporan, sjellë nga artisti pamor dhe skulptori i mirënjohur shqiptar, Helidon Xhixha.

Vepra prej stili unik e artistit të diplomuar në Akademinë e Arteve të Milanos dhe specializuar në Londër, e quajtur “Flamuri prej Çeliku”, ka qenë një dhuratë për ambasadën italiane, por edhe për qytetarët e Tiranës, të cilët tashmë kanë një instalacion të ri në një prej kryqëzimeve më të bukura të qytetit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë ceremonisë së inaugurimit të veprës së piktorit dhe skulptorit Helidon Xhixha në rezidencën e Ambasadës Italiane, u shpreh se kjo vepër i jep një tjetër pamje gjithë zonës. “Mjafton të shikojmë si ka ndryshuar ky kryqëzim, që lidh Liceun me shkollën ‘Kosova’, dhe çfarë pamjeje i jep ky rikompozim i murit të Ambasadës me një vepër fantastike të Helidon Xhixhos,” u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi në mënyrë të veçantë simbolin e një gjesti të tillë, që ngre lart më së pari vlerat e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Jemi shumë me fat që kemi Italinë fqinje, Italinë e kulturës, Italinë e gjuhës, Italinë e shkencës, Italinë e estetikës, Italinë e këngës, Italinë e poezisë, Italinë e ushqimit! Edhe sikur të kishim zgjedhur, ne do të kishim mundur të zgjidhnim komshinj më të mirë sesa italianët. Ndaj, mezi pres që gjatë vitit 2022, bashkë me ju, ta maksimizojmë Tiranën si Kryeqytet i Rinisë,” tha Veliaj.

Edhe ambasadori italian, Fabrizio Bucci vlerësoi faktin që mes dy vendeve tona nuk ekzistojnë kufijtë dhe barrierat. “Për fat të keq, ambasadat shpesh shihen paksa si kala me mure të larta dhe nuk arrin kurrë të shohësh atë që është brenda. Por sot kemi hapur dyert për të zbuluar këtë vepër, të cilën kemi menduar ta vendosim në ambientet e jashtme, një vepër e bukur që ka një karakter të fortë italian, por është gjithashtu një vepër që Helidoni ka dashur t’ia dhurojë mbi të gjitha qytetit,” u shpreh ambasadori Bucci.

Artisti i mirënjohur Helidon Xhixha falenderoi ambasadorin italian. “Falenderoj Fabrizion që e ka transformuar këtë vend në një lidhje perfekte midis Italisë dhe Shqipërisë. Këtu festojnë dy popuj që bashkohen dhe jemi prej shumë kohësh të bashkuar nga historia dhe gjithçka tjetër. Ne falenderojmë Italinë, të cilës do i jemi gjithmonë mirënjohës për atë që jemi,” tha ndër të tjera Xhixha, i cili njihet veçanërisht për faktin se aplikon një stil të veçantë në punimet artistike, duke përthyer dritën kryesisht në metal.

 

 

 

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA