Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla është arrestuar të premten në Romë të Italisë.

Mësohet se falë bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Romën u bë i munduar arrestimi provizor, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Adriatik Llalla, 52 vjeç, banues në Tiranë.

Llalla ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e ka dënuar me 2 vite burg.

Falë informacioneve të marra nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e këtij personi, si dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Policisë italiane u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i tij, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë“, citohet nga deklarata.

Ish prokurorit të përgjithshëm veç vendimit të fajësisë i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për pesë vitet e ardhshme, ndërsa i janë konfiskuar disa pasuri mes tyre toka dhe një apartament.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar që do të shkojë përfundimisht në qeli.

Ai u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor të 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar.

Hetimi ndaj Llallës u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.

Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm.

Akuzat u rrudhën në 2021, ku SPAK njoftoi  më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, për të cilën do të vuaj dy vite burg.

 

Top Channel