Duket se ka qenë e ashpër telefonata që presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, zhvilloi javën e kaluar në Shtëpinë e Bardhë në lidhje me Rusinë.
Zelenskiy ka biseduar 90 minuta në telefon me Bidenin, në 9 dhjetor dhe fokusi ishte Vadimir Putin që ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë afër kufirit me Ukrainën.
Biden, i cili më herët e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave ushtarake amerikane në këtë vend, në rast të ndonjë pushtimi të ri, “ka riafirmuar përkushtimin e palëkundur të SHBA-së ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”.
Publikisht, kërcënimi indirekt i Putinit me luftë ka të bëjë kryesisht me perspektivën e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Por, paralajmërimet e Putinit kanë të bëjnë edhe me konfliktin në lindje të Ukrainës, që vazhdon tash e shtatë vjet.
Zgjidhjen e tij e kanë penguar mosmarrëveshjet për zbatimin e traktatit të propozuar të paqes, i cili njihet gjerësisht si Marrëveshjet e Minskut. Atëherë, çfarë saktësisht i ka thënë Biden Zelenskiyt? A po kërkon ai lëshime nga Kievi, ashtu siç ka sugjeruar së paku një raport? Dhe, a i ka premtuar ai koncesione Putinit, në kurriz të Ukrainës, ashtu siç ka sugjeruar së paku një raport tjetër?
“Kjo është pyetje e madhe”, thotë per RFE Orysia Lutsevych, kryesuese e Forumit ukrainas në Programin e Rusisë dhe Euroazisë pranë institutit kërkimor Chatham House, me seli në Londër.
Kjo është një pyetje që duhet ta bëjnë ukrainasit. Çfarë lloj kompromisi mund të bëni për të shmangur luftën?”, shprehet ajo.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë thotë se e dinë që ka pasur shumë zhurmë në shtyp nëse Kievit i është kërkuar të bëjë lëshime. Por Jen Psaki pretendon se nuk është bërë një kërkesë e tillë.
Një nga sinjalet e rrezikshme që ka dalë nga telefonata Biden-Zelenskiy është se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të angazhohen më shumë në procesin e zgjidhjes së konfliktit në rajonin Donbas, në lindje të Ukrainës, thotë Maria Zolkina, analiste politike në Fondacionin e Nismave Demokratike, me seli në Kiev. Kjo nënkupton negociata të drejtpërdrejta me Rusinë, të cilat do ta vinin Ukrainën në rrezik për t’u përjashtuar, shton ajo.
Top Channel