Bilanci i vdekjeve nga tornado e fuqishme që shkatërruan zona të tëra në Kentucky e pjesë të tjera të SHBA-së, shkoi në mbi 100, teksa shpresat për gjetjen e të mbijetuarve po veniten.
“Asgjë që ishte në rrugën e tornadove, nuk po qëndron më në këmbë”, thanë zyrtarë vendas.
BBC thotë se Kisha e Parë Metodiste e Mayfield, e ndërtuar një shekull më parë, u shemb brenda pak sekondash.
Deri më tani, 80 viktima janë konfirmuar vetëm në Kentaki, ndërsa 14 të tjera janë raportuar në katër shtete të tjera.
Gjashtë persona kanë vdekur në Illinois, pasi një depo e kompanisë Amazon, me rreth 100 persona brenda, është shembur.
Disa vetë atje vazhdojnë të mbeten të zhdukur. Në Tenessee janë konfirmuar katër viktima, në Arkansas dy dhe në Misuri një.
Shpresat për gjetjen e të mbijetuarve janë duke u zbehur. Që të shtunën në mëngjes nuk është gjetur më asnjë njeri i gjallë.
Guvernatori i Kentakit, Andy Beasher, tha se kjo stuhi që goditi vendin javën e kaluar, ishte më shkatërruesja në historinë e këtij shteti.
Presidenti amerikan, Joe Biden, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në Kentaki dhe urdhëroi që zonat më të prekura të ndihmohen.
Ai po ashtu nënshkroi Deklaratën federale për situata të jashtëzakonshme, duke mundësuar kështu ndihmë financiare për Kentakin.
Top Channel