Këshilli Kombëtar i PD me anë të një votimi të fshehtë shkarkoi sot nga funksionet disa anëtarë të kësaj partie që dolën në mbështetje të Sali Berishës.
Në një reagim nga zyra e shtypit të PD thuhet se ky vendim u mor për moszbatim të vendimit të kryesisë në lidhje me Kuvendin e datës 18 Dhjetor.
Partia Demokratike thotë se shumica sot votoi kundër përçarjes dhe krijimit të strukturave paralele, ndërsa thekson se u rrëzuan akuzat e Sali Berishës për mungesë të kuorumit.
“Partia Demokratike bëri publik emrat e 257 anëtarëve të Këshillit Kombëtar që morën pjesë në votimin për shkarkimin e Kryetarit të këtij Këshillit, disa anëtarëve të kryesisë dhe disa sekretarëve për moszbatim të vendimit të kryesisë në lidhje me Kuvendin e datës 18 Dhjetor. Transparenca në praninë e mediave, ndryshe nga tubimi i djeshëm, rrëzon akuzat e pabaza zotit Berisha për mungesë kuorumi. Mediat, përfshi edhe ato pranë zotit Berisha, ishin dëshmitarë të votimit të shumicës absolute të Këshillit Kombëtar kundër përçarjes dhe krijimit të strukturave paralele në emër të demokratëve”, thotë Partia Demokratike.
Top Channel