“Keqardhje për Bashën që arriti në këtë pikë”/ Paloka fton demokratët: Të bashkohemi për rrëzimin e regjimit

12/12/2021 14:34

Kuvendi Kombëtar i thirrur nga Sali Berisha, që votoi për shkarkimin e kryedemokratit Lulzim Basha, thelloi në maksimum krizën brenda partisë.

Një ditë pasi 4952 anëtarët e Kuvendit shkarkuan Bashënn dhe katër nënkryetarët e partisë, kryedemokrati ka njoftuar mbajtjen e Këshillit Kombëtar. Basha iu kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë Kuvendit të Berishës që e shkarkoi nga detyra duke propozuar të njëjtin vendim për 11 deputet rebel që i dolën kundër duke nisur nga kryetari i këshillit kombëtar Edi Paloka.

Këtë të diel, mes dy palëve ka reagime dhe akuza të ndërsjellta. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Edi Paloka, duke theksuar se nuk lufton për karrige, fton të gjithë demokratët të bashkohen për “ringritjen e PD-së”, siç Berisha dhe mbështetësit e tij e quajnë.

Vendimin e kreu të së djathtës për të thirrur Këshillin, Paloka e quan qesharak dhe ‘nul’, pasi “Basha u shkarkua një ditë më parë”.

Basha është shkarkuar dje nga Kuvendi, po edhe ne, të cileve ai ka shpallur se do të na shkarkoka sot, jemi nga dje pjese e Komisionit të Rithemelimit të PD-së. Ata, sekretaret, që kerkon kryetari i shkarkuar, të shkarkojë sot, kanë votuar dje bashkë me delegatët e tjerë, për shkrirjen provizore edhe të funksioneve te tyre. Pra, miqtë e mi, mos u ndjeni aspak në siklet për pozitën time.

Karrigia nuk ka qenë kurrë halli im, për këtë mjafton historia ime në 31 vitet në PD që ta kuptojë kushdo, edhe ata që nuk më njohin. Une jam i shqetësuar për ju dhe anëtaret e tjerë të Këshillit Kombëtar sepse në fund të fundit përfaqësojnë demokratët, prandaj nuk do doja t’i shihja në këtë gjendje aspak dinjitoze dhe për fat të keq deri qesharake, ku po i shtyn Basha”, shkruan Paloka, që thekson se keqardhjen më të madhe e ndjen për Bashën:

Për hir të viteve që kemi kaluar, ai si kryetar e unë si nënkryetar, ndjej keqardhje kur shoh se si arriti në këtë pikë. Mendoja se të paktën do dinte të tregohej pak më dinjitoz dhe i mençur”, shprehet demokrati.

Më tej, ai fton demokratët t’u bashkohen:

E rëndësishme është e ardhmja e PD-së dhe unë kam bindjen se që nga dje, demokratët janë ngritur dhe një herë në këmbë! Do i ftoj dhe një herë, të gjithë, të bashkohemi për interesin e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve sepse edhe interesi personal i gjithsecilit prej nesh është i lidhur me interesat e tyre. Rrëzimi i regjimit dhe rikthimi i PD-së në fitore duhet të jetë i vetmi interes që na bashkon”.

Top Channel