Basha publikon rezolutën: Më 18 dhjetor do zgjedhim të ardhmen, për ta shndërruar PD në forcën qeverisëse që shqiptarët meritojnë

12/12/2021 21:49

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pasi Këshilli Kombëtar miratoi rezolutën, në të cilën thuhet se Kuvendi i thirrur dje nga Sali Berisha është nul.

Pas miratimit të rezolutës Basha ka publikuar rezolutën e plotë, ndërsa thekson se Kuvendi i datës 18 dhjetor do të zgjedhë të ardhmen, për ta shndërruar PD në forcën qeverisëse.

“Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike foli qartë. Edhe më qartë do të flasë Kuvendi Kombëtar më #18Dhjetor. Ne do të zgjedhim të ardhmen, në mbrojtje të vlerave të shenjta të Partisë Demokratike dhe për ta shndërruar atë në forcën qeverisëse që shqiptarët meritojnë”, shkruan Basha.

Një ditë pasi Sali Berisha mblodhi Kuvendin, Këshilli Kombëtar e konsideron lëvizjen e Berishës si anti-statutore dhe që ishte një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në zhbërjen e saj si forca më properëndimore në vend.

Në këtë rezolutë, cilësohet si nul Kuvendi i 11 dhjetorit dhe të gjitha vendimet e ndërmarra prej tij, ndërsa rezoluta afirmon se Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor është Kuvendi i vetëm i ligjshëm e gjithëpërfshirës i demokratëve.

Po ashtu theksohet se tubimi falsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar kanë marrë pjesë 290 anëtarë nga rreth 480 që janë gjithsej, ndërsa pas miratimit të rezolutës u bë edhe një votim të fshehtë për të shkarkuar emrat që u propozuan një ditë më parë nga kryesia e Partisë Demokratike.

Top Channel