Në Tiranë, vëzhgues të pavarur të politikës shqiptare shohin me shqetësim faktin se në Partinë Demokratike zgjidhjet i presin ende, duke u besuar miteve politike dhe jo diskutimeve realiste.

Ata vlerësojnë se krahas sfidës së riorganizimit, Partia Demokratike është edhe përballë sfidës së një vetingu brenda radhëve të saj për t’u ndarë nga persona me afera korruptive.

Studiuesi i njohur i zhvillimeve politike në Shqipëri, Afrim Krasniqi, thotë se është lajm i mirë që nëpër partitë politike flitet mbi demokracinë e brendshme të tyre, si funksionojnë ato dhe si i marrin vendimet.

Ky debat, sipas tij, nxori përsëri në dritë nevojën për reformimin e ligjeve mbi partitë politike, dhe ai do të dëshironte një debat i ngjashëm të zhvillohet edhe në partitë e tjera, sepse drejtuesit aktualë e kanë personalizuar mjaft rolin e tyre në partitë politike.

“Është e habitshme se si 30 vjet pas pluralizmit politik partitë tona funksionojnë në mënyrë jodemokratike të personalizuar dhe se si individë të caktuar arrijnë gati gati të identifikohen me partitë politike dhe ta përdorin atë në funksion të axhendave të veta personale. Partia Demokratike sot i ka të dyja. Ne kemi sot më shumë një parti të njërit apo të tjetrit se sa një parti reale që funksionon me program, me identitet, me struktura dhe me statut.

Zhvillimi më pozitiv për demokratët do të ishte, sipas analistëve, zgjedhja e një udhëheqësie që nuk është peng i askujt, sepse Shqipëria gjendet në një pikë kritike, sepse vendimmarrja e demokratëve qoftë të datës 11 apo 18 është vendimmarrja e të dëshpëruarve, njerëz që nuk shohin perspektivë, nuk shohin përfaqësim, as në pushtet vendor dhe e ndjejnë veten jashtë sistemit politik të vendit.

Por ndarja e dy drejtuesve do të pasqyrohet edhe në grupin parlamentar edhe më gjerë, thotë analisti Lutfi Dervishi.

“Kriza e brendshme në Partinë Demokratike nuk zgjidhet as në datën 11 dhe as në datën 18 dhjetor. Përkundrazi, ndarja do të vijë duke u thelluar dhe zgjidhja e saj do të kërkojë muaj të tërë në këtë përvjetor të themelimit të Partisë Demokratike, partisë së parë opozitare. Ndarja është nga kreu deri në bazë, por përmasat se si dhe sa mbetet për t’u parë” – thotë zoti Dervishi.

Analistët pohojnë se vendimet e dy gjysmave të PD-së nuk janë ligje parlamenti dhe në një pikëpamje të ngushtë partiake janë njësoj legjitime.

Zoti Krasniqi thotë se PD përballet edhe me sfidën për të bërë veting brenda saj, sepse nuk mundet që individë me dosje kriminale, me dosje korruptive, në raport me SHBA-të, si dhe me sistemin gjyqësor vendas të vazhdojnë të mbajnë peng strukturën vendimmarrëse të kësaj partie.

“Mendoj se të dy palët; qoftë pala që organizon sot, qoftë ajo që organizon më datën 18 dhjetor kanë legjitimitet të njëjtë për çdo vendimmarrje të mundshme, por vendimet e tyre nuk kanë ndonjë vlerë juridike. Vendimet e tyre janë më shumë për të pranuar faktin që Partia Demokratike zyrtare nuk është më tërësisht zyrtare, dhe fraksioni i madh që përfaqësohet nga ish-kryetari nuk është më Partia Demokratike, por është gjysma e kësaj partie. Janë dy gjysma që janë të detyruar të negocionojnë muajt e ardhshëm dhe të provojnë sa kanë mbështetje reale në këtë parti.

Zhvillimet e sotme e vendosin kryetarin Lulzim Basha në një pozitë të re, sepse nga sot ai nuk mund të shihet si një drejtues me të gjithë funksionet e kryetarit. Por ai duhet të përballet me realitetin.

Kur gjysma e anëtarëve mendojnë se ai nuk mund të ushtrojë funksionin, atëherë duhet të gjendet një zgjidhje politike; jo zgjidhje teknikalitetesh se kush kontrollon selinë, logon apo vulën, pohojnë analistët.

“Tashmë topi mbetet tek zoti Basha, se çfarë veprimesh do të ndërmarrë ai më 18 dhjetor, ndërkohë që është thirrur anëtarësia për të votuar shkarkimin e tij. Beteja do të zhvillohet, por mbetet të shihet Partia Demokratike si grup parlamentar, si strukturë e re, si anëtarësi. Ka një ngushtim hapësire nga ana e anëtarësisë për zotin Basha mbetet të shohim se çfarë do të jetë përgjigja e tij ndaj kuvendit të thirrur nga anëtarësia ditën e sotme” – thotë zoti Dervishi.

Analistët besojnë se tashmë në mesin e demokratëve ndarja është e qartë, madje edhe individët e pavendosur do t’i detyrojnë të mbajnë një anë.

Po pas dy zhvillimeve në 11 dhe 18 dhjetor PD, pohojnë ata, ka nevojë për një takim të tretë, që i diskuton dhe i zgjidh çështjet me mirëkuptim e realizëm dhe që sjell një alternativë të re për t’u kthyer në pushtet./ VOA

Top Channel