Si u përzgjodh Komisioni i Rithemelimit? Ish-kandidati për kryetar të PD-së: Sorosianë dhe spiunë të sigurimit të shtetit, emrat u zgjodhën pa garë

11/12/2021 17:24

Ish-kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Ibsen Elezi është shprehur me kritika ndaj Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, të zhvilluar në stadiumin “Air Albania”.

Në fjalën e tij, Elezi u ndal tek ngritja e Komisionit të Rithemelimit të PD-së dhe lista prej 29 emrash në përbërje të saj që do të marrë përsipër drejtimin e partisë. Ai deklaroi nga foltorja e Kuvendit Kombëtar, se zgjedhja e këtyre emrave duhej të bëhej përmes një procesi votimi.

Pavarësisht kritikave, Elezi shpreh bindjen se Kuvendi i sotëm pritet të sjellë ndryshime në parti.

Unë nuk dua t’ja humb shijen e mirë këtij Kuvendi, si një Kuvend që ka mundësi që të sjellë një ndryshim të madh. Por një Kuvend që e nis zanafillën e punës së vetë nëpërmjet emërimeve që u bënë sot. U propozuan formalisht 30 vetë, pa asnjë garë e procedurë. Nga erdhën dhe si erdhën emrat. Është e rëndësishme që kur merr iniciativa politike si Kuvend, emrat kanë shumë rëndësi. Aty brenda listës me 29 emra gjen sorosianë dhe anti-sorosianë. 5 ose 6 i di unë. Gjen spiuna të sigurimit të shtetit. Gjen dhe burra të ndershëm. Ky konglomerat nga vjen, ku janë filtrat e zgjedhjes dhe kush e mori përgjegjësinë e kësaj zgjedhje.

Janë filtra të figurës morale të drejtuesit që zgjidhet në krye të PD-së. Nëse kemi marrë përgjegjësinë e madhe për të zhvilluar një proces të ndryshëm nga ajo që ishte më sot, këto janë gjëra të rëndësishme për tu marrë në konsideratë. Lulzim Basha e pati fajin? Patjetër, por Basha të gjitha këto shkelje dhe poshtërsi që janë përmendur, nuk i bëri vetëm, por shumicën e bëri me ju. E mbështetët. Shumë që folën këtu, kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj të Bashës në 2013. Zgjedhjet e 13 qershorit ndikuan përqindjen fiktive”, tha Elezi.

Top Channel