Berisha mban Kuvendin/ Rama poston thënien e filozofit: Në majat e dëshpërimit, e vetmja forcë është…

11/12/2021 17:36

Ndërsa Kuvendi Kombëtar i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur punimet që prej mesditës së sotme, kryeministri Edi Rama ka publikuar thënien e filozofit francez, Emil Cioran.

“THËNIE E DITËS

Në majat e dëshpërimit, pasioni i absurdit është e vetmja forcë që mund të hedhë një dritë djallëzore mbi terrin e kaosit. Kur të gjitha arsyet – morale, estetike, fetare, sociale e me radhë – pushojnë së udhëhequri jetën e dikujt, si mundet ai të jetojë pa iu dorëzuar hiçasgjësë? Vetëm duke u kapur pas absurdit, pas dashurisë për padobishmërinë absolute, duke dashuruar diçka që s’ka asnjë thelb por që simulon iluzionin e jetës. I bie të jetosh vetëm e vetëm sepse malet nuk qeshin dhe krimbat nuk këndojnë. / Emil Cioran”, shkruan Rama.

Kujtojmë se pak më parë drejtuesi i Kuvendit Kombëtar Belind Këlliçi i bëri thirrje publike kryeministrit Edi Rama që të tërheqë forcat e policisë që ka rreshtuar pranë selisë së PD. Ai tha se PD është e demokratëve dhe nuk ka nevojë të mbrohet.

Top Channel