Një biznesmen materialesh ndërtimi u ekzekutua me armë zjarri këtë të premte në një atentat të organizuar vetëm pak metra larg banesës së tij në një fshat të Kurbinit.
Ngjarja e rëndë ndodhi në ora 08:45 në rrugën kryesore të fshatit Sanxhak, në dalje të qytetit të Laçit. Viktima është biznesmeni Rakip Rroli, 55 vjeç, nga Kurbini dhe sipas burimeve paraprake ai është qëlluar disa herë me armë zjarri që dyshohet të jetë automatik. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë në vend.
Viktima po udhëtonte me automjetin e tij tip “Audi” ku dy persona i kanë ndërprerë rrugën dhe e kanë qëlluar me breshëri automatiku, ndërsa makina ka devijuar në kanalin kullues anash rrugës.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka rrethuar zonën, si dhe janë vendosur disa pika kontrolli për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Biznesmeni Rroli ka qenë i dënuar disa vite më parë për rrahje, ku dhe ka vuajtur dënimin në burgun e Shënkollit në Lezhë dhe pas lirimit është marrë me biznes.
Ngjarja ka ndodhur në vitin 2011, ku së bashku me një person tjetër kanë dhunuar me sende të forta një 22-vjeçar, duke e plagosur rëndë pas një sherri për motive banale.
Mësohet se dy djemtë e tij, Emiljano dhe Sokol Rroli, janë personazhe të njohur në botën e krimit, pasi janë akuzuar për trafik droge në vitin 2017. Madje një prej tyre mbeti i plagosur, pasi për të mbërritur sa më shpejt në vendngjarje është aksidentuar me makinë duke u përplasur me një shtyllë elektrike në krah të rrugës.
Rakip Rroli dhe familja e tij kanë disa biznese, përfshirë mjete të transportit të rëndë, si dhe një pikë materialesh ndërtimi.
Në zonën ku ka ndodhur ngjarja nuk ka kamera sigurie gjë që e vështirëson akoma edhe më shumë identifikimin e autorëve.
Top Channel