Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe kryeministri Edi Rama inspektuan sot shkollën e re “Lasgush Poradeci” në Kombinat.
Shkolla e re “Lasgush Poradeci” ka një kapacitet prej 1200 nxënësish, shumë herë më e bukur, me auditorë, laboratorë modernë, si dhe me fusha sportive, që do i shërbejë jo vetëm nxënësve, por gjithë komunitetit të zonës.
Kryebashkiaku tha se për këtë shkollë do xhelozohet e gjithë Shqipëria, duke shtuar se është një xhelozi e mirë që rrit standardin në vend.
“Komenti më popullor ose më i përdorur kur ne postuam pamjet e shkollës ishte: ‘Mjaft bëtë reklama me shkolla private’, – sepse askujt nuk ja kishte pritur mendja që një shkollë publike në zemër të Kombinatit do ishte shkolla më e madhe, më e bukur, më e fortë në Republikën e Shqipërisë, edhe më e mirë se shkollat private”, u shpreh Veliaj.
Më tej kryebashkiaku theksoi se shkolla e re do të shërbejë, jo vetëm për nxënësit, por për të gjithë banorët e zonës.
“Kjo shkollë për 1200 nxënës, është dy herë më e madhe, më e fortë dhe sigurisht më e bukur, siç kemi bërë në çdo shkollë, kemi përfshirë gjithmonë një auditor. Sot kemi auditorë tek Liceu, “Tonin Arapi”, auditor “Avni Mula”, tek shkolla “Servete Maçi”, auditori te shkolla “Kosova”, ky auditor këtu është edhe për aktivitetet e komunitetit, duke filluar nga festa e Abetares deri tek një koncert, një recital, një vallëzim, festat e nëntorit, të fundvitit”, vijoi Veliaj.
Kryeministri Rama tha se siç është kjo shkollë e re me këtë standard dhe këtë shkëlqim, kështu do jetë dhe lagja e re e Kombinatit.
“Lagjja e re që do të ndërtohet këtu do të jetë njësoj si kjo shkollë për nga impakti transfromues i jetëve të atyre familjeve që u goditën, por edhe i të gjithë jetës së komunitetit. I garantoj të gjithë se jo vetëm që nuk kemi lënë asnjë ditë të shkojë kot, por është vazhdojmë të punojmë pa orar së bashku me Bashkinë e Tiranës, për të garantuar që shtëpitë dhe të gjitha njësitë e tjera që do të ndërtohen, që nga ato tregtaret e deri tek ato sociale dhe administrative në zonën e Kombinatit, të bëhen realitet një orë e më parë”, nënvizoi Rama.
Shkolla e re “Lasgush Poradeci”, u rindërtua me ndihmën e Fondit të Zhvillimit të Katarit.
Top Channel