Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me sekuestrimin e 1.5 ton kanabis 3 ditë më parë në Izmir të Turqisë, që vinte nga Shqipëria.
Për Metën ky është një lajm shqetësues dhe tregues se hashashi ende prodhohet me ritme të larta në vend, ndërsa më tej i bën apel autoriteteve për të bërë një hetim të plotë dhe të thellë të këtij trafiku kriminal dhe të çojnë para drejtësisë autorët.
Kreu i shtetit thotë se raste të tilla, “përbëjnë rekorde të zeza për vendin”, ndaj i bën thirrje Qeverisë, institucioneve ligjzbatuese dhe të sigurisë në vend, “që të tregojnë vullnetin e duhur politik, si dhe të forcojnë kapacitetet profesionale dhe bashkëveprimin në terren, për të parandaluar”.
“Me mjaft shqetësim kam përcjellë kapjen pranë Izmirit të një sasie rekord droge të nisur në rrugë detare nga Shqipëria. 1,5 ton drogë përbën një nga sasitë më të mëdhaja të trafikuar nga Shqipëria në Turqi në rrugë detare, çka tregon se prodhimi i hashashit, në këtë rast i llojit më të fundit skunk, dhe trafikimi i tij nga grupet e krimit të organizuar, vijon me ritme të larta në vend. I bëj thirrje Qeverisë, institucioneve ligjzbatuese dhe të sigurisë në vend, që të tregojnë vullnetin e duhur politik, si dhe të forcojnë kapacitetet profesionale dhe bashkëveprimin në terren, për të parandaluar raste të tilla, që përbëjnë rekorde të zeza për vendin. Gjithashtu, apeloj për hetimin e plotë dhe të thellë të këtij trafiku kriminal dhe sjelljen përpara drejtësisë të të gjithë atyre që qëndrojnë pas tij. Po kështu, i bëj thirrje Kuvendit të rrisë rolin e tij në mbikëqyrjen e luftës kundër trafikut të drogave dhe krimit të organizuar”, thuhet në postimin e Presidentit Meta.
Top Channel