Tashmë edhe EMA e pranon: të dhënat e deritanishme tregojnë që të gjitha se rastet e variantit Omicron janë kryesisht më të lehta.
Këtë e pohoi kreu i task forcës për vaksinën kundër Covid-19 në Agjencinë Europiane të Barnave, Marco Cavaleri, edhe pse sërish ai u tregua i kujdesshëm e theksoi nevojën për të mbledhur më shumë prova në mënyrë që të përcaktohet qartë nëse spektri i ashpërsisë së sëmundjes së shkaktuar nga Omicron është i ndryshëm nga ai i të gjitha varianteve që kanë qarkulluar deri më tani.
“Koha do ta tregojë. Në këtë fazë nuk kemi të dhëna të mjaftueshme që tregojnë ndikimin e variantit Omicron në efikasitetin e vaksinave të miratuara, por ne jemi duke monitoruar dhe mbledhur vazhdimisht prova”, tha ai.
Cavaleri shtoi se kompanive që tregtojnë vaksinat kundër Covid-19 u kërkohet të dorëzojnë rezultatet e testeve laboratorike për të përcaktuar nivelin e neutralizimit për variantin Omicron”, duke vënë në dukje se EMA është gati të veprojë shpejt nëse do të jetë e nevojshme.
Deri tani, agjencia europiane e medikamenteve ka aprovuar katër vaksina anti covid Pfizer/BioNTech, Moderna, Johnson & Johnson dhe AstraZeneca.
Ndërkohë EMA i dha dritën jeshile edhe ilaçit kundër sëmundjes të prodhuar nga kompania Merck, të cilin e konsideron një trajtim i suksesshëm e mund të merret në shtëpi.
Top Channel