Gjykata e Posaçme e Apelit cakton datën 20 dhjetor për seancën e parë të rigjykimit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe ish-drejtuesit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.
Apeli i Posaçëm njoftoi edhe shtimin në trupin gjykues me gjyqtarin e deleguar Engert Pëllumbi.
Por pavarësisht kësaj, treshja e gjyqtarëve nuk është e plotësuar, pasi një nga dy gjyqtaret e mëparshme, Ilirjana Olldashi, ka dhënë dorëheqjen.
Kështu që Gjykata duhet të delegojë sërish një gjyqtar të tretë që do t’i bashkohet Pëllumbit dhe Daniela Shirkës.
Gjykata e Lartë i dha një fitore proceduriale Tahirit, kur vendosi prishjen e vendimit të 26 qershorit 2020 të Gjykatës së Posaçme të Apelit dhe rikthimin e çështjes për shqyrtim tek një trupë tjetër e Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Tahiri u vu nën shënjestrën e organeve të drejtësisë në tetor të vitit 2017, pasi autoritetet italiane goditën një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, që drejtohej nga vëllezërit Habilaj –të afërm të Tahirit.
Prokuroria e akuzoi Tahirin për trafik të narkotikëve dhe kërkoi arrestimin e tij, por shumica parlamentare socialiste e bllokoi kërkesën për arrestim dhe e sulmoi hetimin e prokurorisë si të njëanshëm.
Në shtator 2019, Tahiri u shpall i pafajshëm për akuzat e trafikut të narkotikëve dhe grupit të strukturuar kriminal, por u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vjet burg për shpërdorim detyre, dënim i cili u konvertua me 3.4 vjet për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Vendimi i shkallës së parë u prish nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila e riktheu çështjen për rishqyrtim.
Top Channel