BE-ja paralajmëron Rusinë: “Agresioni vjen me një çmim”

10/12/2021 19:58

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar Rusinë të premten (10 dhjetor) se do të përballet me pasoja nëse e pushton Ukrainën.

Kjo thirrje u bë derisa kancelari i ri i Gjermanisë bëri thirrje për bisedime për ulje të tensioneve pasi Moska i grumbulloi trupat ushtarake në kufi me fqinjin e saj jug-perëndimor.

“Agresioni vjen me një çmim, prandaj ne do të komunikojmë këto pika paraprakisht me Rusinë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në një konferencë të përbashkët me kancelarin Olaf Scholz.

Ukraina e akuzon Rusinë se po pëgatit një sulm të gjerë ushtarak derisa Kremlini ka mohuar se po përgatit ndonjë sulm.

Fotografi e publikuar nga Shtëpia e Bardhë e takimit përmes video-lidhjes ndërmjet presidentit amerikan, Joe Biden dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Në takim ishte i pranishëm edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

E pyetur nëse sanksionet për Rusinë mund të përfshijnë mbylljen e gasjellësit Nord Stream që sjell gaz në Evropë, von der Leyen tha se në përgjithësi, energjia nuk duhet të përdoret asnjëherë për të bërë presion dhe se siguria energjetike e Evropës dhe fqinjëve të saj duhet të jetë e siguruar.

Scholz nuk pranoi të përgjigjet në pyetjet lidhur me gasjellësin ruso-gjerman, duke thënë se është e qartë se BE-ja dhe të tjerët do të reagonin nëse do të ketë një pushtim të Ukrainës dhe se bisedimet për të parandaluar një gjë të tillë janë të rëndësishme.

Më herët gjatë ditës, në një vizitë në Francë, Scholz bëri thirrje për ringjalljen e bisedimeve të formatit “Normandy” në mes të Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës për të zgjidhur krizën.

Von der Leyen tha se BE-ja me 27 vendet anëtare është e gatshme të vendosë sanksione ekonomike dhe financiare kundër Rusisë, së bashku me shtete të tjera partnere, nëse Rusia e pushton Ukrainën.

“Ne duam një marrëdhënie të mirë me Rusinë por varet se pari nga mënyra se si Rusia sillet. Rusia po mban një qëndrim kërcënues në drejtim të fqinjve të saj dhe kjo e minon sigurinë e Evropës”, tha ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA