Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar në Twitter pas takimit me Ndihmës Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.

Ai ka theksuar se lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i demokracisë janë prioritet për PD-në.

“Kënaqësi e madhe të prisja sot Zëvendës Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit, z. Gabriel Escobar në vizitën e tij të parë në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë pranë Shqipërisë  dhe shqiptarëve gjatë historisë sonë, gjatë proceseve të domosdoshme të forcimit të demokracisë dhe luftës kundër korrupsionit. Këto janë gjithashtu prioritete të PD  për të sjellë #ndryshim dhe #prosperitet për popullin shqiptar”, shkruan Basha në Twitter.”

Zyrtari i Lartë ishte i shoqëruar nga ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim në takimin me Bashën.

Pas një takimi 60 minutësh në zyrën e Lulzim Bashës, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dha dy mesazhe shkurt për mediat; institucionet shqiptare duhet të jenë ato që luftojnë korrupsionin dhe se kreun e PD-së e pret në SHBA.

Kjo vizitë ka ardhur vetëm dy ditë para mbledhjes së Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-lideri i PD-së, Sali Berisha, i cili është shpallur ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Presidenti demokrat i SHBA-ve, Joe Biden, ka theksuar vazhdimisht se nga sanksionet e tyre synohen personat e përfshirë në abuzime serioze të të drejtave të njeriut, në korrupsion dhe që minojnë demokracinë.

Këto dy akuza të fundit ishin edhe shkaku pse ish-kryeministri Berisha u shpall person non grata.

Vizita e Escobar-it në Shqipëri u konfirmua më 7 dhjetor nga Ambasada Amerikane në Shqipëri, ku dhe zbardhi agjendën e tij.

Escobar e vizitoi Shqipërinë në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.

Top Channel