PS kundër Metës për Kushtetuesen/ Balla tregon se kanë ndryshuar planet edhe për afatet e reformës në drejtësi

09/12/2021 19:51

Presidenti refuzon të njohë vendimin e gjykatës për zgjedhjet vendore të 2019 dhe ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Strasburgut, por socialistët i kujtuan  Ilir Metës se vendimet e Kushtetueses zbatohen nuk interpretohen.

Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk interpretohen më, përtej këtyre vendimeve nuk ka vendim tjetër. Çdo përpjekje për të mos njohur vendimet e Gjykatës Kushtetuese është një përpjekje që nuk i bën nder asnjë institucioni, kjo çështje ka marrë fund këtu”, tha Balla.

Vigjilja e Krishtlindjeve ishte afati i  vendosur nga mazhoranca për miratimin në Kuvend për zgjatjen e afateve të organeve të vetting-ut, por  planet duket se kanë ndryshuar.

“Deri në muajin maj, që i përfundon afati sipas parashikimit kushtetues, kuvendi i Shqipërisë ka një agjendë të vetën, por të mos harrojmë që në këtë agjendë është ndërthurur opinioni i Komisionit të Venecias. Askush nuk mund ta vendosë në një presion afatesh grupin parlamentar të opozitës, dhe natyrshëm kjo është një çështje që do të marrë kohën e vet”, u shpreh Balla.

Kryetari i grupit socialist, Taulant Balla konfirmoi  se ndryshe nga sa ndodh me organet e vetting-ut për komisionin e Reformës Zgjedhore, palët janë drejt konsensusit.

Komentet Taulant Balla i bëri në oborrin  e sallës së seancave plenare, ku këtë të enjte mungoi përballja  mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.

Top Channel